Milionat që i shpenzon Kosova në mbrojtjen e ish krerëve të UÇK-së në Hagë

Milionat që i shpenzon Kosova në mbrojtjen e ish krerëve të UÇK-së në Hagë

4 milion euro i ka kushtuar buxhetit të Kosovës, pagesa e avokatëve të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët tash e disa muaj po mbahen në paraburgim në Hagë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Në shifrat e larta me të cilat paguhen këta avokat, kryeson emri i avokates, Rahini Alagendra, e cila po e mbron ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Ajo për nëntë muaj është paguar 790 mijë euro nga thesari i shtetit.

I dyti me radhë, është Avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Rice.

Ai është paguar deri më tani afër 730 mijë euro, ndërkaq në mars edhe prill të këtij viti me nga 85 mijë euro.

Në listën e siguruar nga Gazeta “Enigma”, theksohet se përfaqësuesi ligjor i Rexhep Selimit, David Young, u pagua 724 mijë euro.

Në muajt prill, maj dhe qershor Young mori nga 91 mijë euro.

Ndonëse u bë bujë për shifrat e larta me të cilat paguhej avokati i ish presidentit Thaçi emri i tij në listë gjendet më poshtë.

Avokati i Thaçit, u pagua 661 mijë euro.

Pagesat më të larta për avokatin Pierre Prosper, u kryen në muajt maj, qershor dhe korrik nga mbi 90 mijë euro.

Ndërkohë, avokati i ish nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, Bat Mertins është paguar mbi 33 mijë euro.

Kurse avokati i dytë i tij, Toby Cadman paguhet rreth 550 mijë euro.

Avokati i Sali Mustafës është paguar mbi 545 mijë euro, derisa vetëm në muajin prill mbi 75 mijë euro.

Më së paku është paguar avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Ben Emmerson.

Ai është paguar vetëm 379 mijë euro, kurse vetën gjatë muajve maj, qershor dhe korrik nga 95 mijë euro, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

Përveç Pjetër Shalës, të gjithë të tjerët sipas Ministrisë së Drejtësisë, janë duke u mbështetur financiarisht për të paguar mbrojtjen e tyre.

Familjarët e të akuzuarve shpenzuan 25,000 euro

Aktualisht, të akuzuarit përveç se kanë të drejtë të kërkojnë mbështetje financiare për të paguar avokatët, ligji në Kosovë u mundëson edhe kompensimin shpenzimeve që bëjnë familjarët kur vizitojnë të akuzuarit në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Mbi 25,000 euro janë shpenzuar nga buxheti i Kosovës për familjarët e të akuzuarve vetëm këtë vit.

Më shumti para janë kompensuar për familjarët e Rexhep Selimit, gjithsej 8,494 euro.

Ministria e Drejtësisë ka kompensuar familjarët e Jakup Krasniqit në vlerë prej 6,569 euro.

Çka thotë ligji për Gjykatën Speciale për financimin e mbrojtjes së të akuzuarve?


Kujtojmë se me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Drejtësisë të datës 24 korrik 2020, përcaktohet se mbulimi financiar i avokatëve, bëhet në bazë të tarifave të përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës; tarifave për avokatë në Holandë; tarifave të shtetit prej nga vjen mbrojtësi dhe tarifave për mbrojtje juridike të personit të akuzuar potencial të Dhomave të Specializuara.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se buxheti për mbështetje financiare për personat e akuzuar potencial është përcaktuar me ligj, ku janë paraparë mjete në vlerë prej 17 milionë euro.

Sipas Ligjit, çdo i akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.

Në kuadër të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, është përfshirë edhe realizimi i së drejtës për kompensimin e personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, të shpallur të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm./Gazeta Enigma.


Related Articles