Qe më shumë se 60 ditë minatorët ende nuk kanë marrë pagën e tyre.
Teksa ka ardhur fundi i muajit korrik, minatorët nuk janë paguar as për punën e muajit qershor. Në situatë të tillë, minatorët e kanë gjetur veten shumë shpesh për gjatëmuajve por dhe vitin që lamë pas, shkruan Gazeta Enigma.
Për gjendjen e rëndë financiare të Trepçës, nga Qeveria e Kosovës nuk janë deklaruar ende.
Gazeta Enigma ka kërkuar sqarime nga ta, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës përmes një njoftimi kanë bërë të ditur se mos ekzekutimi i pagave, po detyron minatorët që të gjejnë zgjidhje tjera, apo të migrojnë jashtëvendit.
Tutje, ata thonë se qeveria dhe bordi menaxhues nuk kanë aspak interesim për fatin e minierës dhe minatorëve.
Lidhur me këtë çështje, ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, e cila tha se situata në të cilën ndodhën minatorët po injorohet nga të gjithë. “Këta janë minatorët e Trepçës. Data 29 korrik, ende pa rroga. Situata në të cilën ndodhen po injorohet nga të gjithë.
Derisa ministra, deputetë e aktivistë të pushtetit po shkojnë çdo ditë n’Ujman e në pjesën veriore t’Kosovës me polici e bodyguarda, asnjëri prej tyre s’ka angazhim për zgjidhje të situatës së tyre”, ka thënë ajo.
Për këtë, reagim ka ardhur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i grupit parlamentari i kësaj partie, Besnik Tahiri, i është drejtuar ekzekutivit duke iu thënë se mjaft kanë shëtitur në Paris, dhe se tani duhet të merren me minatorët që janë pa rroga.
“U shëtitët boll, edhe foto e video bëtë në Paris, tash a po merreni me minatorët e Trepçës që janë pa rroga, me bllokadat e rrugëve gjithandej Kosovës, me pensionistët që po presin pas katër vjet qeverie me ua rritë pensionet me dëmet ekonomike e me bllokadën ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka shtuar “punoni najsen të hajrit, e jo veç me kontrata njëburimore e korruptive! Se di për besë çka do të folni në fushatë”.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se Kurti ka dështuar në realizimin e premtimeve të tij për ndërmarrjen Trepça.
Ai tha se kryeministri Albin Kurti e ka hallin te rezultati i zgjedhjeve dhe jo te ankesat e minatorëve, të cilët kanë njoftuar se nuk i kanë marrë pagat që nga qershori.
“Në të gjitha këto premtime DËSHTOI! Ndërsa sot, kur minatorët jetojnë në kushte të tmerrshme dhe ende nuk i kanë marrë pagat e dy muajve, Albin Kurti i premton vetes se në vitin 2025 do të fitojë edhe më shumë vota se në vitin 2021. Ky nuk e ka hallin e minatorëve dhe të kësaj shoqërie, por tek rezultati i zgjedhjeve që do mbahen së shpejti”, ka shkruar Selmanaj.
Sindikata e Pavarur e Minatorëve, ka ftuar të gjithë minatorët që nesër (e mërkurë, 31 korrik) të dalin dhe të diskutojnë për situatën e rëndë në të cilën ndodhen ata dhe miniera e Stan Tërgut.
Ndërkohë mospërmirësimi i kushteve të punëtorëve të Trepçës, ka dërguar në greva të njëpasnjëshme.
Në muajin nëntor, minatorët kishin qëndruar në grevë për 10 ditë kështu duke kërkuar plotësimin e tri kërkesave përmirësimin e kushteve, shkarkimin e kryeshefit të Trepcës, EnisAbdurrahmani dhe pagat t’u dalin me kohë – pas kësaj greve tejet të gjatë ishte arritur marrëveshje me Qeverinë, por që e njëjta vazhdimisht nuk po zbatohet.
Në marrëveshjen e arritur me disa deputetë të partisë në pushtet, parashihej që pagat e minatorëve të mos vonoheshin më shumë se më datën 10 të çdo muaji. Për shkakun e mosekzekutimit apo të vonesës së pagave, minatorët patën hyrë në grevë për disa ditë edhe gjatë qershorit dhe prillit të sivjetmë.
Teksa tani e dy javë, minatorët e Stan Tërgut kanë hyrë në grevë të re – të tretën brenda këtij viti, si pasojë e mosekzekutimit dhe vonesës së pagave./Gazeta Enigma/