Rifat Latifi u emërua si Ministër i Shëndetësisë më 16 nëntor të vitit 2021. Ai iu bashkua kabinetit të Qeverisë Kurti duke e zëvendësuar të larguarin Arben Vitia, shkruan Gazeta Enigma.
Ministri Latifi është duke pranuar kritika në drejtim të tij për shkak të vizitave të shpeshta në SHBA, ku ka qëndruar me ditë e javë të tëra. Ai ka në raportimin për Komisionin për Shëndetësi ka folur për vizitat që i ka bërë në SHBA.
“Unë i kam fëmijët atje dhe më duhet me i pa shpesh ata. Do të shkoj në Amerikë nga vjeshta sipas të gjitha gjasave por atëherë do të shkoj privatisht, për shkak se vajza ime martohet”, ka deklaruar Latifi.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta Enigma ka biseduar me gazetarin e shëndetësisë, Bujar Vitija i cili ka thënë se ministri Latifi i ka paraqitur shtatë shtylla për të përmirësuar shërbimet shëndetësore në Kosovë.
Sipas tij ministri Latifi në kuadër të këtyre pretendimeve i ka kryer edhe disa udhëtime jashtë vendit të cilat nuk kanë sjellë asnjë rezultat.
“Ministri Rifat Latifi i ka paraqitur shtatë shtylla që ai mendon se nevojiten për të përmirësuar shërbimet shëndetësore në Kosovë. Në kuadër të këtyre prioriteteve të tij, ai ka bërë edhe disa udhëtime me pretendimin për të kërkuar ndihmë nga këto shtete, por deri më tani nuk ka arritur të nënshkruaj së paku asnjë marrëveshje. Prandaj këto udhëtime janë problematike sepse nuk kanë sjellë asnjë rezultat”, thotë Vitija për Gazetën Enigma.
Vitija thotë se ministri Latifi duhet të koncentrohet në menaxhimin dhe avancimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.
“Në anën tjetër shëndetësia vazhdon të përballet me probleme të mëdha, mungesë të shërbimeve, stafit mjekësor dhe barna e materiale. Prandaj Latifi do të duhej të koncentrohej më shumë në menaxhimin dhe avancimin e sistemit shëndetësor, në vend se të marr udhë pa asnjë plan konkret”.
“Mangësi e tij është se nuk po arrin të njoh sa duhet problemet, për mos me thënë se nuk ka vullnet të merret me telashet bazike që përballen pacientët dhe stafi mjekësor”, ka deklaruar Vitija.
LDK për ministrin Latifi: Rezultatet konkrete të tij ishin vetëm ardhje-vajtjet jashtë vendit
Lidhja Demokratika e Kosovës thotë se gjashtë muaj prej kur është emëruar Rifat Latifi si ministër i Ministrisë së Shëndetësisë, rezultatet e vetme konkrete deri më tani janë vetëm ardhje – vajtjet e ministrit jashtë vendit.
Sipas tyre Ministri i Shëndetësisë, shumicën e kohës së tij po e kalon jashtë Kosovës, edhe pse vendi ynë është duke u përballur me probleme të mëdha në sistemin shëndetësorë.
“Vetëm në gjashtë mujorin e parë të qeverisjes së tij, mbi 1000 punëtor shëndetësorë kanë mbetur tash e tre muaj pa paga; 45 mjek kanë ikur nga Kosova vetëm për një muaj; tash e një vit Ministria e Shëndetësisë nuk ka hapur asnjë konkurs për specializime nga fusha e mjekësisë, ndërsa vetëm për dy muaj mbi 200 qytetarë të vendit tonë, kanë kërkuar shërim jashtë vendit”, thuhet në një reagim të LDK-së në Facebook.
Lidhur me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar edhe deputetin dhe anëtarin e Komisionit për Shëndetësi, Bekim Haxhiu, i cili thotë se nga viti 2020 kemi degradim në sektorin e shëndetësisë.
“Nga viti 2020 të qeverisjes Kurti 1 dhe 15 muaj të qeverisjes Kurti 2 kemi degradim në sektorin e shëndetësisë”, ka deklaruar Haxhiu.
Tutje ai ka shtuar se “edhe ashtu sistemi ynë shëndetësorë nuk ka qenë për mburrje mirëpo por degradimi qe po ndodh është shqetësues”.
Sipas Haxhiut kjo Qeveri e ka përkeqësuar situatën në shëndetësi edhe më shumë.
“Po shihet që në shëndetësi nuk është prioritet për këtë Qeveri, situata në shëndetësi është përkeqësuar edhe me shumë”, tha Haxhiu.
Tutje ai numëron disa nga gjërat e pa realizuara nga Ministri Latifi.
“Lista e pritjes për operacione janë rritur shumë, ka mungesë të barnave nga lista esenciale, nuk ka rritje të pagave as përmirësim të kushteve të punës për profesionistët shëndetësorë”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas tij “ikja e profesionistëve shëndetësorë për shkak të zhgënjimit në Qeverinë Kurti është shumë e madhe dhe nëse nuk ka veprime konkrete pasojat do të jenë të mëdha dhe afatgjate”.
Haxhiu: Asnjë ligj substancial për shëndetësinë nuk ka ardh për votim në Kuvend
“Asnjë ligj substancial për shëndetësinë nuk ka ardhur për votim në Kuvend dhe ky është një tjetër indikatorë se Shëndetësia nuk është prioritet i kësaj Qeveria”, tha ai.
“Qeveria Kurti dështimet në menaxhim të pandemisë COVID-19 dhe procesit të vaksinimit janë mundura t’i mbulojnë me sjelljen e një emri të madh të shëndetësisë nga Amerika me Prof Rifat Latifin i cili as nuk po mund të ambientohet në Ministrinë e Shëndetësisë ngase grupet e interesit brenda LVV-së e kanë hutuar dhe çorientuar”, ka theksuar Haxhiu.
“Ministri Latifi deri tani ka pas vetëm fjalë, punë dhe veprime jo. Uroj te shërohet sa me shpejt ministri Latifi dhe të kthehet ne detyrat e tij”, ka përfunduar ai.
Ministri Latifi gjatë raportimit të punës së tij 6 mujore në Komisionin për Shëndetësi është kritikuar nga paraardhësi i tij Armend Zemaj për udhëtimet e shpeshta. Ministri Latifi ka thënë se në udhëtimin e tij të parë në Nju Jork ka shkuar për cështje private pasi kishte ende obligime ndaj spitalit ku kishte punuar.
“Unë kam udhëhequr kirurgjinë në disa spitale. Kam pas obligime edhe 6 muaj pasi e kam lënë këtë pozitë. Herën e parë kur kam udhëtuar në SHBA, kam shkuar për këtë arsye sepse ka pas mijëra pacientë që është dashur të sistemohen nga unë. Në udhëtimin tjetër kam qenë tre ditë tek familja ime, ndërsa më pas kam pasur takime”, ka deklaruar Latifi.
Tutje, ministri gjatë raportimit të punës së paralajmëroi një tjetër vizitë në SHBA në vjeshtë, mirëpo sipas tij kjo vizitë do të jetë private.
Tutje ai u akuzua që sektorin e shëndetësisë po e menaxhon prej Amerikës, por Latifi nuk ka pranuar një gjë të till.
“Po më thua që e menaxhoj shëndetësinë prej SHBA, nëse e kisha menaxhu prej atje ish konë ma mirë se kisha mendu si amerikan. Nuk është e vërtetë ajo. M’u ka deshtë me i dhënë gjashtë muaj me më zëvendësu në spital. Herën e parë kur kam shku kam shku për këtë ndërsa herën e dytë kam shku në vizitë zyrtare”, është shprehur Latifi.
Në lidhje me këtë çështje, më saktë për të ditur të detajuara udhëtimet e ministrit Latifi, Gazeta Enigma ka kontaktuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë, por këta të fundit nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli (22 qershor 2022). /Gazeta Enigma/