Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë të ditur se ka filluar procedimin e pagesave për përfituesit e subvencioneve në kuadër të Programit për Pagesa Direkte 2022 për çdo kulturë bujqësore.
Sipas kësaj ministrie, vlera e proceduar për pagesë është 5 milionë e 161 mijë e 966 euro, ndërsa numri i bujqve që do t’i përfitojnë këto mjete deri më tani është 3,901.
“Duke qenë se afati për sasinë e dorëzuar të grurit është data 2 shtator, edhe pagesën për sasinë e dorëzuar të grurit në vlerën 0.03 euro për kilogram, MBPZhR – AZHB do ta bëjë pas kësaj date si pagesë e veçantë për të gjithë aplikuesit e grurit që dëshmojnë sasinë e dorëzuar të grurit duke u bazuar në kriteret e parapara me Programin e Pagesave Direkte 2022, konkretisht Udhëzimin Administrativ 02/2022, pas kësaj date”, thuhet në njoftimin e MBPZhR-së.
“Dëshmia për sasinë e dorëzuar të grurit dorëzohet në Drejtoritë Komunale për Bujqësi në Komunat përkatëse deri më 02 shtator 2022 në ora 16:00”, vijon ministria.
Në kuadër të Programit për Pagesa Direkte për vitin 2022 kanë aplikuar 28,834 fermerë.