Ministria e Drejtësisë, e cila është në detyrë, ka hapur konkurs për tri pozita të larta drejtuese, çka është në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë.
Hulumtuesi i Lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Qemajl Marmullakaj, thotë për Gazetën Enigma se sipas vlerësimit nga IKD, shpallja e këtyre konkurseve nga Ministria e Drejtësisë është në kundërshtim me kufizimet që Ligji për Qeverinë ia imponon një Qeverie në detyrë.
“Këto nuk janë pozita teknike apo administrative të zakonshme, por funksione me mandat të rëndësishëm institucional, kompetenca menaxheriale. Mu për këtë arsye, ligjvënësi ka kufizuar kompetencat e qeverive në detyrë, për të parandaluar vendimmarrje me pasoja afatgjata politike dhe institucionale në periudhën kur një qeveri nuk e ka më legjitimitetin e plotë politik”, tha Marmullakaj.
“Për më tepër, vetë fryma e nenit 31 synon që qeveria në detyrë të kufizohet vetëm në funksione esenciale dhe të domosdoshme administrative, e jo të ndërmarrë veprime që mund të ndikojnë për vite në strukturën drejtuese të institucioneve publike”, deklaroi tutje ai.
Marmullakaj tha se ky konkurs krijon precedent të rrezikshëm për anashkalimin e kufizimeve ligjore që synojnë ruajtjen e neutralitetit institucional gjatë periudhës tranzitore.
“Prandaj, vlerësojmë se shpallja e këtyre konkurseve përbën tejkalim të kompetencave të një qeverie në detyrë dhe krijon precedent të rrezikshëm për anashkalimin e kufizimeve ligjore që synojnë ruajtjen e neutralitetit institucional gjatë periudhës tranzitore”, u shpreh në fund Marmullakaj, në prononcimin për Gazetën Enigma.
