Ministrja Haxhiu reagon pas vrasjes së gruas në Ferizaj: Gratë ende nuk janë të sigurta

Ministrja Haxhiu reagon pas vrasjes së gruas në Ferizaj: Gratë ende nuk janë të sigurta

Ministrja e Drejtësisë, Albuelna Haxhiu, ka reaguar për vrasjen në Ferizaj, duke thënë se pavarësisht angazhimit institucional, gratë ende nuk janë të sigurta.

Pasditen e së premtes një grua është vrarë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ndërsa ka mbetur i plagosur vëllai i saj. I dyshuari kryesor është ish-bashkëshorti V.A., i cili është arrestuar nga Policia.

Haxhiu në Facebook ka shkruar se institucionet e drejtësisë duhet të jenë të pakompromisë në adresimin e këtyre rasteve, ndërsa ka bërë thirrje për dënim maksimal për të dyshuarin.

“Edhe një jetë u shua sot! E tronditur nga lajmi për vrasjen gruas në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Një krim tjetër i rëndë i cili duhet të marrë dënim maksimal. Pavarësisht përpjekjes sonë të përditshme, angazhimit tonë të vazhdueshëm, gratë ende nuk janë të sigurta. Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromisë në adresimin e këtyre rasteve. Jemi në komunikim me institucionet përgjegjëse që të kuptojmë të gjitha rrethanat dhe të ndërmarrim veprimet sipas kompetencës. Në këto momente të vështira jemi me familjen dhe të afërmit e të ndjerës dhe shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, ka shkruar ajo.

I tronditur me vrasjen është shprehur edhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu. Ai ka thënë se pret nga institucionet e drejtësisë t’i japin dënimin meritor dorasit të dyshuar. Ka përgëzuar Policinë për efikasitetin dhe ekipet shëndetësore për reagimin profesional.

Aliu ka bërë të ditur se viktima dhe ish-bashkëshorti po merrnin shërbime në Qendrën për Punë Sociale.

Related Articles