Arsim cilësor për fëmijët me nevoja të veçanta ka premtuar ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci gjatë një vizite që i bëri Qendrës Burimore për mësim “Xheladin Deda” në Pejë.
Ministrja Nagavci ishte pjesë e ceremonisë në të cilën Ambasada e Çekisë ka dhuruar një donacion prej rreth 19 mijë eurosh për pajisje speciale për nxënës të verbër, si printer e makina braili.
Ministrja u zotua se gjatë këtij mandati do të punësohen 400 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta me qëllim që të ngritët mundësia për arsim cilësor. Ajo tha se është në dijeni për problemet me të cilat po ballafaqohen këta fëmijë dhe mësimdhënësit e tyre me ç’rast premtoi mbështetje të pakursyer për ta. Ministrja Nagavci tha se secili fëmijë do të trajtohet barabartë. Drejtori i qendrës burimore për mësim dhe këshillim “Xheladin Deda” në Pejë, Xhavit Kastrati u shpreh i lumtur për donacionin e ambasadës Çeke. Sipas tij, përmes këtyre pajisjeve mësimdhënësve do t’iu mundësohet punë më komode si dhe nxënësve punë më cilësore.
Ambasadori i Çekisë në Kosovë, Pavel Bílek tha se Republika Çeke ka përvojë të gjatë në ndihmë për personat e verbër dhe qëllimisht kanë vendosur ta bëjnë këtë investim. Ai u shpreh i lumtur që kjo teknologji, e cila funksionin sipas alfabetit të Brailit, do të shërbejë për fëmijët dhe mësuesit e kësaj qendre burimore.