Të premtën, Qeveria e Republikës së Kosovës me propozim të Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) miratoi plotësim ndryshimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, shkruan Gazeta “Enigma”.
I menjëhershëm ishte reagimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Ata kanë kërkuar që ky proces të shtyhet derisa kryetarët të certifikohen dhe të japin betimin në mënyrë që pastaj të ketë konsultime me kryetarët.
“Mund të konstatohet që Komunat e Kosovës në këtë proces të plotësim ndryshimit të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale nuk janë konsultuar dhe nuk është marrë mendimi i tyre. Kjo në fakt është e pakuptimtë dhe e papranueshme, sepse si mund të ndryshosh një ligj që ka të bëjë me pushtetin lokal e nuk konsultohen Komunat e Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre .
Kryetarët e Komunave në konsultime me Asociacionin e Komunave të Kosovës kanë bërë thirrje institucioneve qemdrore që të ulen e të diskutojnë me Komunat e Kosovës për plotësim ndryshimin e Ligjeve që prekin interesat e komunave.
“Në këtë rast ftojmë Parlamentin e Republikës së Kosovës që të konsultojë komunat para se ta miratoj ligjin për Vetëqeverisje Lokale, ligj i cili prek dhe duhet të zbatohet nga vetë Komunat”.
Gjithashtu për këtë çështje, për Gazetën “Enigma”, është deklaruar edhe Kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, i cili ka theksuar se komunat kërkuan që ky ndryshim të shtyhej pas zgjedhjeve lokale.
“Në takimin e parë dhe të dytin ne kemi munguar. Kryetarët e komunave kanë kuptuar nga mediat që të premten ka ndodhur ky plotësim-ndryshim në Qeveria. Në këtë ndryshim përmendet pozita e nënkryetarit”, ka thënë ai, duke shtuar se ka shumë dilema rreth këtij posti.
Sipas tij, nënkryetari nuk mund ta luajë rolin e nënkryetarit në asnjë moment, duke shtuar se nënkryetari nuk del për të kërkuar besimin e qytetarëve në zgjedhje.
Ibrahimi përmend edhe fakti se është bërë një ndryshim kozmetik në çështjen e zëvendëskryesuesit.
“Unë deklaroj atë që kërkojnë kryetarët e komunave. Ata kanë kërkuar një reagim të tillë në nivelin qendror dhe konsultat me kryetarët janë të paneglizhueshme. Ne kemi kërkuar që të shtyhet për pak ky proces. Për Ligjin për pagat kemi qenë të involvuar nga fillimi, por në ligjin për vetqeverisje lokale nuk e di pse nuk kemi qenë të përfshirë”, ka thënë ai.
Ndërsa, kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se Ligji për Vetëqeverisje Lokale, që nga viti 2008 nuk ka pasur ndryshim e as plotësim.
“MAPL përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe duke u bazuar në nevojat e komunave ka propozuar ndryshimet e nevojshme të cilat synojnë funksionimin sa më të mirë të vetëqeverisjes lokale në Kosovë. Funksionim më të mirë të komunave do të thotë jetë sa më e mirë për qytetarët dhe shërbime më të mira publike”, ka potencuar Kurti.
Kurse, ministri i MAPL, Elbert Krasniqi ka theksuar se ndryshimi i ligjit nuk prek qeverisjen lokale, por përmirëson disa aspekte.
“Plotësim ndryshimi i ligjit fokusohet në sqarimin e kompetencave vetanake, afatet ligjore dhe shqyrtimit të ligjshmërisë së akteve komunale, matjen e performancës së komunave, çështjen e mandateve të anëtarëve të komunave. Është rregulluar çështje kur pozita e kryetarit të komunave mbetet vakante etj.”, ka deklaruar ministri Krasniqi. /Gazeta “Enigma”/