Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për tregtinë me naftë dhe produkte të naftës në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti tha se përmes këtij projektligji u lehtësohet puna operatorëve të ndershëm dhe mbrohet konsumatori dhe mjedisi.
Sipas shefit të ekzekutivit, përmes projektligjit në fjalë sigurohet mbikëqyrje e efektshme dhe e ligjshme e veprimtarive me karburante.
“Ne të gjithë e dimë që ligji për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme ka një dekadë pa u miratuar, dhe tash me këtë projektligj ne përvetësojmë standardet evropiane për karburantet, i thjeshtësojmë procedurat administrative, ua lehtësojmë punën operatorëve të ndershëm, e mbrojmë edhe konsumatorin edhe mjedisin, konkurrencën e lirë po ashtu, edhe sigurojmë që do të kemi mbikëqyrje të efektshme dhe të ligjshme të veprimtarive me karburante andaj do të jetë një projektligj shumë i rëndësishëm”, ka thënë kryeministri Kurti.
Derisa ka prezantuar projektligjin, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se po synojnë rregullimin e tregut të naftës duke përfshirë operatorët dhe qytetarët.
“Ky projektligj ofron këto përparësi kryesore, procedurat e lejeve janë thjeshtuar, bizneset do të kenë më të lehtë të pajisen me leje por njëherësh shteti do të ketë më të lehtë administrimin dhe mbikëqyrjen e lejeve, kohëzgjatja e lejeve është rritur nga dy në gjashtë vjet, ligji i ri i siguron mekanizmat e duhur për zbatimi ne kushteve ligjore dhe për të siguruar cilësinë e naftës para hyrjes në treg, kudo në treg të operatorët dhe të konsumatorët. Mbikëqyrja inspektuese është kufizuar, shteti do të ketë mundësi të shqiptojë gjobat e ashpra ndaj shkeljeve, të revokojë lejet për shkelje të caktuara si dhe të ua ndalojë veprimtarinë dheu shtrimin e profesionit atyre që përsërisin shkeljet”, ka thënë Hajdari.
Ajo tha se mbikëqyrja e tregut të naftës do të jetë transparente dhe shteti do të njoftojë publikun për shkeljet.
Gjithashtu tha se do të nxitë përdorimin e karburanteve të ripërtërishme dhe përdorimin e teknologjive të qëndrueshme duke përfshirë pikat e mbushjes së automjeteve elektrike.