Mjeku bën thirrje për kursim të ujit të pijshëm, ky është niveli i ujit në liqenin e Batllavës dhe Badocit

<strong>Mjeku bën thirrje për kursim të ujit të pijshëm, ky është niveli i ujit në liqenin e Batllavës dhe Badocit</strong>

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë thirrje për mos keqpërdorim të ujit të pijshëm, shkruan Gazeta “Enigma”.

Fal reshjeve të fundit në vend niveli i ujit në liqenin akumulues të Batllavës është në nivelin maksimal. Gjithashtu nga kjo kompani kanë njoftuar se rritje të nivelit të ujit ka edhe në liqenin e Badocit.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me zëdhënësen e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në “Prishtinë”, Arieta Mjeku Azizi, e cila ka deklaruar se niveli i liqenit të Batllavës është në maksimum, dhe se ka ngritje të lehtë në liqenin e Badocit.

Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në “Prishtinë”, Arieta Mjeku Azizi

“Nivelin e ujit në liqenin e Batllavës e kemi në maksimum, pra është në kuotën maksimale të kapërderdhjes, është duke u kapërderdhur. Ngritje të lehtë kemi edhe në liqenin e Badovcit. Është rritur për 2 metra e gjysmë, dhe tash e kemi 4 metra e gjysmë nën kuotën maksimale të kapërderdhjes”, tha Mjeku.

Tutje ajo ka shtuar se numri i konsumatorëve është duke u rritur nga dita në ditë dhe ne duhet të kemi kujdes në konsum, mos ta përdorim për gjëra të paarsyeshme, por vetëm për konsum dhe higjienë.

“Kapacitetet janë këto që janë. Numri i konsumatorëve po rritet çdo ditë e më shumë. Kështu që pasi po rritet numri i konsumatorëve atëherë duhet të jetë edhe vetëdijesimi më i lartë për një shpenzim sa më racional të ujit të pijshëm sepse nëse vetëdijesohemi që ujin ta përdorim për pije dhe për higjienë, dhe jo për destinime tjera të paarsyeshme do të kemi ujë mjaftueshëm”, ka deklaruar Mjeku për “Enigmën”.

Mjeku ka theksuar se punëtorët e kësaj kompanie mundohen ti kryejnë shumë punë në të njëjtën kohë pasi kanë mungesë stafi, sidomos është ajo mosha para pensionimit.

“Po çdo kompani ka mungesë stafi, sidomos është ajo mosha para pensionimit. Mirëpo këta që jemi mundohemi t’i kryejmë shumë punë në të njëjtën kohë. Ne nuk kryejmë punë në kompani vetëm me përshkrimin e vendeve të punës, por i bëjmë edhe punët e tjera, jo vetëm unë por edhe stafi tjetër vetëm që KRU ‘Prishtina’ të dalë sa më mirë para publikut dhe qytetarët të kenë shërbime sa më cilësore”, ka përfunduar Mjeku për “Enigmën”.

Kujtojmë se 22 marsi është Dita Botërore e Ujit, e cila ka për qëllim të tërheqë sa më shumë vëmendje për kujdesin ndaj ujit të pijshëm.

Kjo ditë festohet me 22 mars, ndërsa dita e parë botërore e ujit është shënuar më 22 mars 1993.

Kosova ka numër të vogël të liqeneve natyrore. Liqene artificiale janë: Batllava, Gazivoda, Radoniqi, Përlepnica dhe Badovci, si dhe një numër të vogël të liqeneve për ujitje. Kosova ka burime të rëndësishme të ujërave termale të cilat shfrytëzohen për qëllime shërimi dhe rekreacioni. Mbrojtja, ruajtja dhe zhvillimi i resurseve ujore është shumë i rëndësishëm dhe një ndër sfidat më të mëdha mjedisore të Kosovës.

Ujin e zëvendëson vetëm uji, andaj të shpenzojmë racionalisht në çdo ditë të jetës tonë!  /GAZETA ENIGMA/

Related Articles