I pari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj sot pritet të dalë para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
I njëjti është arrestuar mbrëmjen e së martës para studios televizive të “Pressing”, ku ishte i ftuar për intervistë.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi ka konfirmuar se seanca për Molliqjan do të zhvillohet nga ora 14:30.
Ndërsa gjatë ditës së djeshme në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj sid he aktivistit të kësaj partie Adem Megjuani.
“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) të ndaluarve, në drejtim të veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Paraburgimi ndaj këtyre të dyve po kërkohet për kryerje të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Por mbrëmjen e kaluar Adem Megjuani veçse është liruar nga paraburgimi.
Partia Socialdemokrate ka kërkuar dje lirimin e Molliqajt dhe Megjuanit, të cilët u arrestua lidhur me zhvillimet e ndodhura të shtunën në protestën kundër propozimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e çmimit të faturave të energjisë elektrike.