Lideri i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj, tha se kryeministri Albin Kurti është pasqyrim i liderit të Hungarisë, Viktor Orban.
Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, veprimet e Kurtit i ka quajtur manipuluese.
Ai ka përmendur tentimin e Lëvizjes Vetëvendosje për ta ndryshuar Ligjin për Zgjedhje, e cila sipas tij, është karakteristikë kyçe e populistëve.
Sipas tij, ngjashëm me Hungarinë edhe Kosovës po i kanoset rreziku për arritjen e pushtetit absolut.
“Karakteristikë kyçe e populistëve është fakti që me marrjen e pushtetit fillojnë ndërhyrjet e para në Ligjin për Zgjedhje dhe zgjedhjet në përgjithësi. Kështu manipulojnë e korruptojnë institucione të zgjedhjeve dhe ndërtojnë hapësirën për të arritur pushtetin absolut nën pretekstin e zgjedhjeve të lira e demokratike. Është po i njëjti rrezik që po e kanos Kosovën sot”, shkroi ndër të tjera ai.