Molliqaj s’flet për shuplakën ndaj policit: Protestat vazhdojnë deri kur vendimi i ZRRE-së të kthehet mbrapa

Molliqaj s’flet për shuplakën ndaj policit: Protestat vazhdojnë deri kur vendimi i ZRRE-së të kthehet mbrapa

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar një ditë pas protestës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike në Kosovë, që u organizua të shtunën, raporton Gazeta “Enigma”.

Molliqaj ka kërkuar të dëgjohet vullneti i qytetarëve dhe të kthehet prapa propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për ndryshimin e tarifave.

Ai ka paralajmruar se protestat e aksionet do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“Ky propozim, i cili është në diskutim publik deri nesër, u kundërshtua fuqishëm nga qytetarët e vendit. Prandaj, kërkojmë nga ZRRE që nesër të mos e aprovojë propozimin në fjalë e ta dëgjojë zërin e qytetarëve. Në të kundërtën, aksionet e protestat do të vazhdojnë deri sa ky vendim të kthehet prapa”, shkroi Molliqaj.

Ndërkohë Molliqaj nuk është deklaruar lidhur me videot e publikuara në media, ku ai shihet duke e goditur me shuplakë një pjesëtar të Policisë së Kosovës. / Gazeta Enigma.

Postimi i tij i plotë:

Të dëgjohet vullneti i qytetarëve, të kthehet mbrapsht propozimi për shtrenjtim të rrymës

Pabarazia socio-ekonomike në Kosovë është shumë e thellë. Çmimet, përfshirë edhe ato të produkteve bazike ushqimore e higjienike janë rritur shumë tashmë. Familjet që i përkasin shtresës së varfër dhe asaj të ulët me vështirësi ia dalin në fund të muajit.

Në këtë situatë, propozimi për shtrenjtim të energjisë elektrike është absolutisht i papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me nevojat e qytetarëve të Kosovës.

Ky propozim, i cili është në diskutim publik deri nesër, u kundërshtua fuqishëm nga qytetarët e vendit. Prandaj, kërkojmë nga ZRRE që nesër të mos e aprovojë propozimin në fjalë e ta dëgjojë zërin e qytetarëve. Në të kundërtën, aksionet e protestat do të vazhdojnë deri sa ky vendim të kthehet prapa.

Related Articles