Mos-ftesa e Kosovës në Samitin e Demokracisë, krejt çka u tha në lidhje me këtë iniciativë

Mos-ftesa e Kosovës në Samitin e Demokracisë, krejt çka u tha në lidhje me këtë iniciativë

“Jo të gjithë partnerët duhet të përfshihen në këtë iniciativ”.

Kështu u deklarua Ambasada Amerikane në Kosovë derisa në listën e shteteve të ftuara, Kosova nuk figuron askund, shkruan Gazeta Enigma.

LEXO EDHE: Ambasada Amerikane flet për mos-ftesën e Kosovës në Samitin e Demokracisë

Sipas analistit për çështje politike, Agon Maliqi, kjo cilësohet alaramante dhe tregon një acarim të rëndë në marrëdhëniet dypalëshe të Kosovës me SHBA-të.

“Kosova me këtë vendim është futur nga SHBA në një grup të vogël dhe aspak prestigjioz shtetesh të prira nga autokratë anti-perëndimorë si Serbia, Bosnja, Bjellorusia dhe Hungaria”, ka shpjeguar Maliqi.

Maliqi tutje ka thënë se vlerësimi i SHBA-së për Kosovën në këtë rast nuk flet shumë për nivelin e demokracisë së brendshme të shtetit, ku sipas tij Kosova qëndron më mirë se rajoni në shumë gjëra si liria e mediave, zgjedhjet e lira, etj. Prandaj, analisti këtë e cilëson si vendim të padrejtë.

“Besoj se arsyeja qëndron te fakti se është përdorur si kriter edhe vënia ndesh me prioritetet amerikane në politikën e jashtme dhe të sigurisë, politika këto që lidhen ngushtë me promovimin e demokracisë dhe zbehjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Ballkan”, ka thënë Maliqi.

Ndërsa, këshilltari i kryemistrit Kurti, Jeton Zulfaj, ka thënë ka thënë se nuk është aspak befasi përse Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci të thirrur nga SHBA-të, pasi sipas tij, demokracia në Kosovë ka rënë gjatë qeverisjes Hoti.

“Mbase edhe ndonjë muaj do të shihemi me raportet ndërkombëtare të 2020. Nuk është aspak befasi përse Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci të thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që radhitet më së ulëti në “Nations in Transit” nga Freedom House me 3.14 nga 7 pikë ose 36% nga 100%”.

Tutje, ai ka shkruar se “Kosova dhe qytetarët e saj s’kanë asnjë arsye për t’u hidhëruar por as për t’u dëshpëruar pasi rezultatet e ndryshimeve të mëdha demokratike që ata sollën këtë vit do t’i shohim të reflektuara në raportet ndërkombëtare në vitin që vjen, ashtu siç do të shohim progres të gjithmbarshëm”.

Ndërsa, ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri, beson se pasi Kosova nuk u ftua në Samitin e Demokracisë të presidentit të SHBA-së, Joe Biden, siaps saj tash kryeministri Albin Kurti do t’i dallojë më mirë ngjyrat e Shtëpisë së Bardhë.

“Shtepia e Bardhe nuk e ftoi Kosoven ne Samitin e Demokracise te organizuar nga Presidenti Amerikan Joe Biden. Mbas tash besoj se Kurti do t’i dalloj me mire ngjyrat!”.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i shefit të Grupit Parlamentar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, i cili ka thumbuar Qeverinë Kurti, pasi SHBA-ja nuk e ftoi Kosovën në Samitin e Demokracisë.

“As në dekë, e as në drekë”, ka shkruar Gashi.

Me akuza ishte edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Sipas Haradinajt, kryeministri Albin Kurti “me urgjencë duhet t’i riparojë raportet dhe partneritetin e besueshëm e të shëndoshë me ShBA’të si aleati ynë strategjik”.

“Kosova nuk ka kohë për të humbur, as nuk ka partner më të afërt sesa ShBA-të, andaj Kryeministri me urgjencë duhet t’i riparojë raportet dhe partneritetin e besueshëm e të shëndoshë me ShBA-të si aleati ynë strategjik”, thotë Haradinaj.

Haradinaj thekson se nuk duhet lejuar “zbehja” e prezencës së SHBA’së në Kosovë”.

“Asnjëherë nuk do ta lejojmë shndërrimin e Kosovës në laborator të eksperimenteve neo-komuniste evropiane që kryeqendër e kanë Moskën dhe qëllim parësor e kanë zbehjen e prezencës dhe rolit të ShBA-ve në Kosovë, rajon e më gjerë”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.

Ndryshe, në dhjetor të këtij viti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të organizojnë Samitin e Demokracive, ku janë ftuar 100 shtete të ndryshme.

Në një hartë të publikuar nga gazeta amerikane “Politico”, këto tri shtete shihen të hijezuara në listën e shteteve që nuk kanë marrë ftesë për pjesëmarrje në këtë samit, krahas 100 shteteve të tjera të ftuara.

/Gazeta Enigma/.

Related Articles