Agron, Bahri e Basri Gashi, tre vëllezër që ishin në mbajtje të paraburgimit për një vrasje që kishte ndodhur vite më parë, u përballën me vëllain e viktimës Mahmut Hoxha në afërsi të qendrës së paraburgimit në Pejë.
Por përballja mes tre vëllezërve dhe të dyshuarit përfundoi me plagosje, pasi që Mahmut Hoxhaj me dy armë automatike gjuajti në drejtim të veturës me të cilën ishin duke udhëtuar tre vëllezërit dhe një person tjetër i katërt që kishte shkuar ti marrë pasi iu ishte ndërpresë masa e paraburgimit.
Nga ta dy ishin plagosur, njëri më pas u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejmë shëndetësor.
KALLXO.com ka arritur që të siguroj dosjen në të cilën përshkruhet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë ndaj Mahmut Hoxhajt për veprat penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë si dhe armëmbajtje pa leje.
Kërkesa tashmë është dorëzuar në Gjykatën Themelore të Pejës. Në bazë të ngjarjes që kishte ndodhur, provave që janë mbledhur e edhe intervistave të para me të dëmtuarit në këtë rast, prokuroria në Pejë ka kërkuar masën e sigurisë për 30 ditë paraburgim për Hoxhën.
Në dosje përmenden edhe disa paragrafë të shkurta që të dëmtuarit i kanë dhënë në intervistën e tyre për ngjarjen.
Gjithmonë sipas dosjes që ka siguruar KALLXO.com, Agron Gashi ka deklaruar se ‘kanë qenë në burg për shkak të problemeve me Mahmut Hoxhaj dhe dyshimit për vrasjen e vëllait të tij. Në ditën kritike janë liruar nga gjykata dhe A.U., ka shkuar për ti marrë dhe sapo janë nisur janë sulmuar me armë e që janë plagosur A.U. dhe Basri Gashi. Aty e kemi pa të pandehurin Mahmut hoxhaj dhe afër tij ishin dy armë të gjata AK-47”- ka deklaruar Agron Gashi.
Bahri Gashi, vëllai tjetër në stacionin policor në Pejë kishte deklaruar se nëse policia nuk do të intervenonin shpejtë, Mahmut Hoxhaj do t’i kishte vrarë të gjithë.
“Mahmut Hoxhaj ka gjujt në drejtimin tim dhe ka plagosur Basrinë dhe A.U.. Kam qenë në burg si i dyshuar për vrasjen e vëllait të të pandehurit Mahmut Hoxhaj ndërsa me datë 17.10.2025 jemi liruar së bashku me Basri e Agron Gashin. Po të mos kishte policia me intervenu, Mahmuti na kish vra të gjithëve”- ka deklaruar Bahriu.
Vëllai tjetër i Bahrisë dhe Agronit, Basriu është njëri nga të plagosurit në këtë rast. E i plagosur mbeti edhe A.U., i cili kishte shkuar t’i marrë në gjykatë pasi ishin liruar nga paraburgimi.
Dy të plagosurit nga gjuajtja me kallashnikovë në qendër të Pejës, në afërsi të Gjykatës më 17.10.2025, po vazhdojnë të trajtohen në spital.
E Mahmut Hoxhaj nuk u deklarua për ngjarjen duke u mbrojtur në heshtje para hetuesve policor.
Spitali Rajonal i Pejës përmes një njoftimi për media bëri të ditur se njëri nga të plagosurit është dërguar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa i plagosuri tjetër po vazhdon trajtimin në Pejë dhe është pa rrezik për jetën.
“Njëri nga pacientët është dërguar për trajtim të mëtejmë në QKUK, ndërsa tjetri po trajtohet në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë dhe aktualisht është në gjendje stabile dhe pa rrezik për jetën” – thuhet në njoftimin e Spitalit.
“Të gjithë personat e përfshirë në rast janë trajtuar nga ekipet mjekësore të spitalit, në përputhje me nevojat e tyre shëndetësore” – thuhet tutje në njoftim.
Me dy “Kallashnikovë” me duar deri sa del nga një objekt. Kështu shihet në pamje i dyshuari M. Hoxha, i cili u arrestua për vrasje në tentativë dhe për armëmbajtje pa leje për rastin që ndodhi sot, më 17.10.2025, rreth orës 16:00, në Pejë.
Në këto pamje shihet i dyshuari duke shtënë me dy “Kallashnikovë“ përnjëherë në drejtim të një veture e cila ishte në lëvizje.
Rasti ka ndodhur në afërsi të Gjykatës së Pejës.
Pamjet tregojnë se si i dyshuari gjuan në drejtim të veturës në të cilën ishin dy personat që u plagosën.
Për shkak të plagëve të rënda, njëri prej të plagosurve është transferuar për trajtim në QKUK.
Kurse tjetri po vazhdon të trajtohet në Spitalin Rajonal të Pejës.
Gjithashtu pamjet tregojnë reagimin e zyrtarëve policorë, të cilët e arrestojnë të dyshuarin teksa po kthehej ta merrte njërin “Kallashnikov” të cilin e kishte hedhur pasi kishte shtënë me të dytë.
Përveç dy armëve automatike të tipit “AK-47”, i dyshuari po dyshohet edhe për dy armë të tjera që iu gjetën në një çantë.
Pamjet tregojnë se si njëri nga personat që ishte në veturën e sulmuar del nga vetura që përplaset për mur, dhe shkon zvarrë për t’u fshehur nga i dyshuari që gjuante me një “Kallashnikov”.
Dyshohet se sulmi është kryer nga i dyshuari në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të tij dhe plagosjen e tij. Ngjarje kishte ndodhur tre vite më parë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka dhënë detaje të reja rreth incidentit që ndodhi sot, më 17.10.2025, rreth orës 16:15, në rrugën “Hasan Murati”, në afërsi të Qendrës së Paraburgimit në Pejë.
Sipas njoftimit, Policia porsa ka marrë informatën për të shtëna me armë njësitë policore kanë reaguar me shpejtësi dhe janë përgjigjur menjëherë në vendin e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të shpejta është arrestuar një person i dyshuar, ndërsa dy persona të tjerë të cilët kanë pësuar lëndime nga arma e zjarrit janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë për trajtim mjekësor.
Sipas njoftimit, gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia ka sekuestruar si prova materiale dy armë të gjata të tipit “AK-47”, dy revole, 149 dhe 16 gëzhoja.
Me urdhër të prokurorit kompetent, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Njësiti i hetimeve rajonale në bashkëpunim me prokurorin janë duke vazhduar hetimet intensive lidhur me rrethanat e këtij rasti.
Më 28 prill 2022, në fshatin Volljakë, komuna e Klinës, në parkingun e një restoranti, ishte vrarë Fazli Hoxha. Sipas Prokurorisë, vrasja e tij ishte kryer për qëllime hakmarrjeje të paskrupullt.
Ai atë ditë kishte darkuar për iftar me vëllezërit e tij Albertin dhe Mahmutin.
Ndërkohë që Fazliu kishte humbur jetën, vëllezërit e tij Alberti dhe Mahmuti kishin pësuar lëndime të lehta trupore nga kjo ngjarje.
Prokuroria i ngarkonte me akuza për vrasje të rëndë të realizuar në bashkëkryerje Nderim Gashin, Basri Gashin, Agron Gashin, Ardit Gashin dhe Bahri Gashin.
Kurse Ylli Gashi akuzohej se ka ndihmuar në vrasje duke ia siguruar armën Nderim Gashit.
Sipas aktakuzës, të gjitha këto veprime nga të pandehurit janë ndërmarrë me motiv hakmarrjeje ku tre vëllezër të tjerë të të dëmtuarve Hoxha kishin rrahur një vëlla të të pandehurve Gashi për një borxh 300 euro në Brescia, Itali.