Gjatë ditës së sotme zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka deklaruar se disa nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë kërkuar një vlerësim të raportit të Komisionit Evropian në lidhje me progresin që ka pasur Kosova nga viti 2018 deri më tani.
“Për këtë angazhim, stafi im bashkë me departamentet për integrime evropiane brenda ministrive të linjës kanë përgatitur një imput prej 33 faqesh që ia kemi dërguar Komisionit Evropian”.
“Nga ky material, Komisioni Evropian ka përgatitur një raport të shkurtër të ri-vlerësimit që nesër iu shpërndahet vendeve anëtare dhe pastaj javën tjetër diskutohet në mbledhjen e përbashkët”, ka thënë Bislimi.
Lidhur me ngjarjet e fundit të procesit të dialogut Kosovë – Serbi, Gazeta Enigma ka kontaktuar me njohësin e çështjeve ndërkombëtare Amir Shabani.
Shabani deklaroi se rrjedha e procesit të dialogut Kosovë – Serbi, ka hyrë në një periudhë më intensive pasi që kësaj here janë përfshirë edhe Franca dhe Gjermania përveç angazhimit të ShBA-së.
“Ecuria e procesit të dialogut Kosovë-Serbi duket se gjatë periudhës së fundit ka hyrë në një fazë pak më hibride dhe intensive, duke pasur parasysh se kesaj radhe në këtë dialog, kyçja e dy vendeve të rëndësishme të BE-së, Gjermania dhe Franca janë përfshirë me një angazhim më serioz, përveç angazhimit të zakonshëm të SHBA-së”, u shpreh Shabani për Enigmën.
Ndërsa sa i përket kërkesave të fundit, Shabani konsideroi se ka “çalime” administrative nga zyrtarët e Bashkimit Evropian.
“Mirëpo, nga ana tjetër vërehen disa çalime administrative dhe burokratike të zyrtarëve të Bashkimit Evropian, gjegjësisht edhe kërkesat e ripërsëritura të Komisionit Evropian për vlerësim progresi dhe mosdefinimin adekuat të takimeve të nevojshme mes dy krerëve (atij të Kosovë dhe Serbisë) rreth zhvillimit të bisedimeve dhe angazhimit diplomatik në zgjedhjen e këtij konteksti të stërzgjatur i cili ka filkuar nga viti 2011”, potencoi Shabani.
Gjithashtu njohësi i çështjeve ndërkombëtare shtoi se përcaktimi i Rusisë krah Serbisë, e komplikon dialogun duke i marrë parasyshë rrethanat gjeopolitike.
“I dërguari special për dialogun Prishtinë-Beograd, diplomati Miroslav Lajçak ka pasur takime të ndara me krerët e të dy vendeve dhe vazhdimisht ka deklaruar se angazhimi i tillë synon ecjen e progresin përpara. Por, duhet pasur parasysh se në një situatë të tillë aktuale gjeopolitike, arena ndërkombëtare kërkon rezultat konkret në këtë dialog, duke shtuar se prej pikave kryesore dhe parësore të diskutimit është edhe përcaktimi i Serbisë përkrah Rusisë, e që mendoj se gjendja e tillë gjeostrategjike e Serbisë në këtë rast, e komplikon çështjen e dialogut dhe e shton nevojën e koncentrimit edhe më shumë për palën e Kosovës”, tha Shabani.
Sipas tij çështja parësore e ndërkombëtarëve është përcaktimi i Serbisë, gjë që do të shfaq stabilizim ose destabilizim në rajon, por që fatkeqësisht kjo e fundit është më e dukshme.
“Pra, pikësynimi kryesor i ndërmjetësuesve ndërkombëtarë është përcaktimi i Serbisë dhe se kjo do të shfaq rezultat të stabilizimit apo destabilizimit në rajon, e që fatkeqësisht deri tani po ndjehet e dyta”, theksoi Shabani.
Në fund Shabani tha se zgjidhja më e mire e dialogut është mosluhatja e BE-së ndaj Kosovës dhe presioni ndaj Serbisë për zgjidhjen e dialogut.
“Si përfundim dua të them se përshpejtimi i çështjes administrative dhe mosluhatja e BE-së ndaj Kosovës në rrugëtimin e saj eurointegrues si dhe presioni ndaj Serbisë për zgjidhjen e dialogut dhe përcaktimin e saj me masat kufizuese ndaj Rusisë, do jetë një lehtësim i ecurisë së shumë proceseve në rajon”, përfundoi ai.
Kujtojmë se me 13 tetor anëtarësimi i Kosovës është në rend dite në Këshillin Evropian. /GAZETAENIGMA/