Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Financave kanë bërë të ditur se sot do të dalin pagat e para sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik.
Me këtë rast, MPB njofton se shtesat për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars.
Siç thuhet në komunikatë ende po vazhdon mbledhja e të dhënave dhe finalizimi i listave nga ana e Komisioneve.
“Përkundër punës intensive të komisioneve për përcaktim të shtesave, procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar, andaj njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars”.
“Pra, me përfundimin e mbledhjes së të dhënave nga ana e komisioneve dhe finalizimit të listave me zyrtarët që do të përfitojnë këto shtesa, të njëjtët do të marrin bashkë me pagën dhe shtesën e muajit mars edhe shtesën përkatëse për muajin shkurt. Ftojmë të gjitha institucionet që të dërgojnë të dhënat e kërkuara nga komisionet përkatëse pa vonesë, në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më parë”.
“Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë të gjithë zyrtarët publikë të Republikës së Kosovës, se sot do të disbursohen pagat e para sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik Nr. 08/L-196, i cili ka hyrë në fuqi me datën 5 shkurt 2023”.
“Komisionet për përcaktimin e shtesave të parapara me këtë ligj dhe aktet nënligjore që derivojnë prej tij, tashmë janë themeluar dhe janë duke mbledhur të dhënat nga institucionet përkatëse lidhur me zyrtarët që mund/do të përfitojnë këto shtesa, përfshirë këtu komisionet për shtesën për kushte specifike të punës, shtesën për kushte tregu dhe shtesën për ekspertët”.