Vaksinimi i moshës më të re me vaksinën kundër COVID-19, ka vazhduar edhe nëpër shkolla të mesme, ku Ministria e Shëndetësisë këtë të premtë ka dërguar ekipe mobile për vaksinimin e nxënësve në Shkollën e Mesme “Eqrem Qabej” në Prishtinë, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Në njoftimin e MSH-së thuhet se vaksinimi realizohet në bashkëpunim me drejtuesit e shkollës dhe zhvillohet nga ora 08:00 në mjediset e kësaj shkolle.
“Prindërit ose kujdestarët ligjorë të nxënësve që do të vaksinohen, janë të mirëpritur, nëse duan për të përcjellë nga afër vaksinimin, sikurse edhe mediat”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’, Drejtori i Gjimnazit “Eqrem Çabej” në Prishtinë, Shemsedin Beqiri ka thënë se për këtë proces të vaksinimit nxënësit kanë qenë të njoftuar paraprakisht.
“Nxënësit kanë qenë të njoftuar gjatë javës së shkuar. Këshillimi i dhënë nga DKA dhe MSH është përfillur me përpikëri”, ka thënë Beqiri.
Njëherit ai ka shtuar se “Shkolla ka përgatitur formularët e deklarimit. Nxënësit janë këshilluar t’i plotësojnë në shtëpi me miratimin dhe nënshkrimin e prindërve të tyre, i kanë kthyer në shkollë dhe vetëm me të janë lejuar nga ekipi mjekësor të vaksinohen”.
Sipas drejtorit të kësaj shkolle i gjithë ky proces ka qenë pa asnjë imponim.
“Pra gjithçka ka qenë në baza vullnetare, pa asnjë imponim”, nxënësit nuk janë obliguar fare, kanë vendosur vullnetarisht”, ka deklaruar Beqiri.
A mundet një nxënës të vendos i vetëm të vaksinohet edhe pa lejen e njërit prind apo është e domosdosshme leja e prindit për tu vaksinuar?
“Nxënësi, vetëm me miratimin e njërit prind, ka vendosur të vaksinohet, jo vetëm”, ka thënë Beqiri për ‘Enigmën’.
Cila është përqindja e vaksinimit nga stafi i kësaj shkolle?
“Që në fillim të shtatorit, shumica e mësimdhënësve kanë qenë të vaksinuar me njërën dozë, ndërsa tani 100% i kanë dy dozat e administruara”, ka përfunduar ai.
Zëvendësministrja Gexha Bunjaku dhe Sekretari Bardiqi thanë se përmes shembullit personal duan t’i sigurojnë dhe inkurajojnë prindërit për vaksinimin e fëmijëve të tyre si rrugën më të mirë për t’i mbrojtur ata dhe për të siguruar mbajtjen e shkollave hapur.
“Shkolla është vendi ku çdo i ri takohet me dijen dhe me shkencën. Një nga zbulimet më të rëndësishme shkencore në dy shekujt e fundit, ka qenë vaksina. Pa vaksina, shumë sëmundje nuk do të kaloheshin kaq lehtë sot. Edhe gripi dikur ka qenë një pandemi vdekjeprurëse në gjithë botën, të cilën njerëzimi e mposhti vetëm përmes vaksinave, dhe sot gripi konsiderohet ndër sëmundjet e lehta e të zakonshme”, tha Ministrja Gexha.
Ajo theksoi se Qeveria e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë i siguroj qytetarëve të Republikës vaksinat më cilësore në tregun botëror, pa pagesë. Tashmë këto vaksina administrohen pa termin, kudo, pavarësisht vendbanimit apo shtetësisë. Edhe me ekipe mobile e me forma të organizuara brenda institucioneve, si ky rast sot. Zëvendësministrja Gexha u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen për ta fituar betejën kundër COVID-19.
“U bëj thirrje gjithë nxënësve të shkollave të përfitojnë nga ekipet tona e të vaksinohen, sepse nxënësit janë e ardhmja e shoqërisë. Rastësi, në këtë shkollë ndjekë mësimet edhe bija ime e madhe, e cila u vaksinua sot bashkë me shoqet e shokët e saj. Me këtë rast shpreh një falënderim e mirënjohje për administratën e shkollës për organizimin dhe profesionistët shëndetësor që janë në krye të detyrës”, tha Zëvendësministrja Gexha.
Interesim të madh për vaksinim pati edhe në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë
Theksojmë, se procesi i vaksinimit me ekipe mobile në shkolla do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, ndërkohë që u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve të moshës mbi 12 vjeçe që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e krijuara për t’u vaksinuar kundër COVID-19, duke qenë që nuk kanë nevojë për terminë, dhe mund të vaksinohen kudo në Kosovë./Gazeta Enigma/