Munishi: Jam trajneri më i mirë, jam shtyllë e futbollit të Kosovës

Munishi: Jam trajneri më i mirë, jam shtyllë e futbollit të Kosovës

Trajneri i Prishtinës, Ismet Munishi, ka thënë pas ndeshjes se Prishtina ka fituar ndaj një kundërshtari shumë të vështirë si Llapi, që kishte seri prej katër fitoreve rresht, në të gjitha garat.

Prishtina fitoi 2:0 ndaj Llapit në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

“Sot besoj që ishte niveli i koncentrimit më i lartë. Ishte koncentrimi i madh, dëshira për fitore ishte shumë e madhe nga lojtarët. I përgëzoj ata për lojën dhe angazhimin. Besoj që ndeshjet që i kemi humbur, kemi luajtur më mirë. Kemi humbur duke dominuar me lojë. Nuk mundemi t’i sjellim gjithë faktorët e Japonisë këtu, duhet të përballemi me faktorët që i kemi brenda. Më ka ardhur shumë keq prej futbollistëve sepse kemi dominuar dhe kemi harxhuar shumë mund. Ne si klub duhet të mobilizohemi, jo te lojtarët, por diku tjetër. Jo te lojtarët. Duhet të kemi drejtësi këtu brenda. Nëse protagonist bëhet dikush tjetër, atëherë është problem. Fituam ndaj një ekipi shumë të mirë. Ia kemi shkaktuar humbjen e parë Llapit, që vinte pas një serie të mirë. Është dashur shumë energji për lojtarët, trajnerin, stafin dhe logjistikën e klubit për ta kthyer besimin”, tha fillimisht Munishi.

“Unë jam trajneri më i mirë në Kosovë. Për çdo gjë mund të më sulmojnë. Por unë dhe futbollistët e mi jemi shtylla më e fortë e ekipit, ndërsa unë jam shtylla më e fortë e futbollit të Kosovës. Te ne duhet të ngritët vetëdija”, deklaroi Munishi pas ndeshjes.

Related Articles