Murati i reagon Ramës: Komuna s’i pagoi faturat edhe pse buxheti u alokua

Murati i reagon Ramës: Komuna s’i pagoi faturat edhe pse buxheti u alokua

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili në konferencën e sotme akuzoi Qeverinë për bllokimin e të hyrave vetanake dhe rrezikimin e shërbimeve esenciale në kryeqytet, raporton Gazeta “Enigma”.

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook Murati ka thënë se Thesari e ka alokuar buxhetin e muajit dhjetor për Komunën e Prishtinës që të premten pasdite, madje para kohe me qëllim që të mund të paguheshin faturat urgjente, si ajo e energjisë elektrike.

Tutje ai ka theksuar se pavarësisht se buxheti ishte i gatshëm, stafi i Komunës së Prishtinës nuk i ka kryer pagesat. “Nga Thesari më njoftuan se stafi i Komunës e kishte përfunduar orarin dhe nuk kishte kryer asnjë pagesë, me arsyetimin: ‘i kryejmë të hënën’.”, shkroi Murati.

Ministri në detyrë tha se ishte i habitur me këtë vendim, duke theksuar se sjellja e komunës nuk përputhej me urgjencën që kishte paraqitur Rama kur kërkoi alokimin e parakohshëm të buxhetit.

Sipas Muratit, arsyeja që komunës “i duhej” vonesa ishte politike. “Në vend se të paguanin faturat, Përparim Rama dhe nënkryetarët e tij zgjodhën të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës. Po t’i paguanin faturat të premten, nuk do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielën”, tha Murati.

Ai gjithashtu akuzoi drejtuesit e LDK-së për mospërkrahje të qëllimshme në Kuvend. “Kjo e sqaron edhe pse Lumir Abdixhiku dhe deputetët e LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën. Sepse në mungesë të kauzave reale, paskan vendosur që të mos i kursejnë as qytetarët e Prishtinës, me shpresën që mos dikush rastësisht u beson se fajin e paska Qeveria”, tha Murati.

Related Articles