Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka dhënë tri arsye se përse Qeveria e Kosovës është kundër propozimit të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, që qytetarëve t’u mundësohet një tërheqje e re nga fondi i kursimeve pensionale.
Sipas tij, e para është se shkaktohet precedent i rrezikshëm, se nuk ndihmohen njerëzit në nevojë dhe se e përkeqëson situatën e ngritjes së çmimeve.
Në “Java sonte me Rronin” në KTV, Murati ka thënë se tërheqja e parë nga Trusti, që u mundësua më 2020 ka shkaktuar një precedent, që po që se përsëritet, sipas tij, do të shkaktonte telashe për të ardhmen.
“Shkaktohet precedent i rrezikshëm sepse me ligj ato fonde janë të qytetarëve në momentin kur bëhen 65 vjeç. Deri në atë moshë s’mund të kesh qasje në to. Është parapa me ligj të mbrohen në fond të veçantë për pleqëri të sigurt e të mos bëhen barrë për tjerët. Shkaktimi i precedentit më 2020 ka shkaktuar tash precedentin që edhe tash vjen situata kur një deputet dhe disa deputetë për grusht votash s’e kanë problem të shkatërrojnë një institucion apo edhe një sistem të tërë pensional vetëm që të fitojnë popullaritet e të marrin pak vota. Si qeveri po të mendonim në terma afatshkurtër e ciklin e ardhshëm elektoral s’do të kishte mundësi më të mirë sesa kjo që të përmirësonim disa indikatorë ekonomikë, por në terma afatgjatë shkakton telashe të mëdha. Te tërheqja e parë i kemi 110 milionë euro gropë, që s’i kemi paguar, por që me ligj duhet të rimbursohen”, ka thënë Murati duke shtuar se ato 110 milionë euro tash do të mund të shfrytëzoheshin për pensionistë, studentë e skema sociale.
Arsyeja e dytë, sipas Muratit, është se nuk ndihmohen të varfrit. Ai ka thënë se për dallim nga tërheqja e parë, tash situata është ndryshe. Sipas tij, qytetarët më 2020 kanë tërhequr mjetet nga Trusti për të kursyer mjete për shkak të frikës se mos COVID-19 po ia rëndon gjendjen ndonjë familjari.
Në arsye të tretë, Murati ka thënë se “pasiguria për të ardhmen, zëvendësohet në presion inflacionar”. Çdo euro më shumë e hedhur në treg, sipas Muratit, vetëm do të çonte në ngritje të mëtejme të çmimeve.
“Kjo është sikur të thuash se po pi alkool se po më dhemb koka që kam pi mbrëmë. Vetëm e përkeqëson situatën”, ka thënë ai.
Murati është shprehur se iniciativa për tërheqjen nga Trusti nuk e ka mbështetjen e nevojshme në Kuvend. Ai ka thënë se është fatkeqësi që po diskutohet për këtë çështje e “po luhet me ndjenjat e qytetarëve”. Në rast se një gjë e tillë kalon, Murati ka thënë se nuk e sheh si arsye për t’u dorëhequr.
Ka shtuar se qytetarët kanë nisur t’i kuptojnë argumentet dhe të dalin kundër tërheqjes.
Propozimi për tërheqjen e re nga Trusti do të dalë së shpejti para deputetëve për shqyrtim. Ai ka shkuar në Kuvend pa aprovimin e Qeverisë dhe të Komisionit për Buxhet. Për të kaluar duhet një shumicë e thjeshtë votash. Të gjitha partitë opozitare janë shprehur pro. Njëjtë ka votuar në Komision edhe përfaqësuesja e Listës Serbe. Përfaqësuesit e komuniteteve tjera kanë abstenuar.