Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, në seancën e sotme të Kuvendit, ka thënë se është i çuditur se për krizën ekonomike në vend është duke reaguar kryetari i LDK-së, Memli Krasniqi, që sipas tij, i takon shtresës së pasur.
Në seancën e sotme të kuvendit, ai ka theksuar se ata mund të ofrojnë mbështetje për të gjithë por jo për ata që kanë probleme me kriptovalutat, kështu duke ironiozuar me Krasniqin.
“Në lidhje me ato që u thanë, ishte deputeti Krasniqi që ishte i zëshëm në aspekt me krizën që i ka goditur qytetarët tash e kuptojmë se është një krizë në gjithë botën ka gjunjëzuar edhe shtetet më të forta. Zakonisht ato godasin shtresat e mesme dhe të varfra dhe ato janë më të zëshme, por nuk e kemi dëgjuar asnjëherë që shtresa më e zëshme të jenë të pasurit, e për më tepër kur janë politikanë dhe deputetë”, deklaroi Murati.
“Për shtresën e mesme dhe të varfër ne kemi bërë shumë më shumë se sa që ka bërë ndonjë qeveri paraprake. Ne do të vazhdojmë mbështetjen ndaj këtyre shtresave, hiq më larg se dje i ndajmë 18 milionë euro shtesë për bujqësi”.
“Mirëpo, çka mund të them dhe nuk mund të zotohem është t’i mbështesim humbjet në kriptovaluta. Nëse dikujt i është vështirësuar gjendja financiare sepse ka rënie të kriptovalutave nuk mund ta mbëshesë këtë, më vjen keq”, u shpreh Murati.