Ministri në detyrë, Hekuran Murati e ka nisur ditën e sotme duke kërkuar reflektimin e partive të tjera, me qëllim që siç ka thënë ai të mos humben 90 milion eurot e alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, raporton Gazeta Enigma.
“Janë 90 milionë euro të alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, të cilat po presin ratifikimin nga Kuvendi që nga muaji maj i vitit të kaluar. Ky lloj financimi është i veçantë sepse ka kamatë 0%. Shumë shtete do të dëshironin të përfitonin nga një financim i tillë, por Kosova është ndër shtetet e rralla që ka përfituar falë reformave të ndërmarra dhe menaxhimit të mirë të financave publike”, theksoi ai.
“Partitë opozitare gjatë legjislaturës së kaluar kishin refuzuar të votonin ratifikimin, ndërsa tash po e pamundësojnë edhe konstituimin e legjislaturës së re duke mos marrë fare pjesë në votim, duke prolonguar kështu ratifikimin e kësaj marrëveshjeje”.
Por Murati ka theksuar tutje se “Banka Botërore e as bota nuk mund të na presin pafundësisht”.
“Nëse marrëveshja për 90 milionë euro me kamatë 0% nuk ratifikohet deri në shtator, ekziston rreziku shumë i lartë që këto mjetet t’i merren Kosovës dhe ti jepen një shteti tjetër. Prandaj është jetike që opozita të reflektojë dhe të mundësojë konstituimin e Kuvendit, e pastaj edhe të votojë këtë marrëveshje. Inatet politike nuk do të duhej t’i kushtonin shtetit tonë”, shtoi Murati.