Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka fajësuar ekzekutivin aktual se po e stagnojnë rrugën evropiane të vendit, teksa ka theksuar dështimin e sivjetëm për aplikim në Këshillin e Evropës, raporton Gazeta Enigma.
Në një konferencë për media, ajo theksoi se ky moment kyç që do t’i hapte rrugë forcimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar.
“Kosova po humb qindra milionë euro ndihmë e mbështetje nga Bashkimi Evropian. E gjithë kjo, si pasojë e izolimit ndërkombëtar që i është shkaktuar vendit nga një qeveri që nuk kupton dialogun, bashkëpunimin dhe përgjegjësinë. Në planin e njohjeve ndërkombëtare, Kosova ka stagnuar plotësisht. Jo vetëm që nuk ka pasur njohje të reja, por nuk ka pasur as përpjekje serioze për to. Ministria e Punëve të Jashtme është kthyer në një sektor të paralizuar nga diletantizmt”, tha Musliu-Shoshi.
Tutje ajo theksoi se “Tani jemi dëshmitarë të një situate absurde: më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kjo qeveri ka marrë peng institucionet e vendit. Ka bllokuar formimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së re, duke e çuar vendin drejt një krize të thellë kushtetuese dhe institucionale”.
“Mjaft është mjaft. Bllokada politike po shkakton pasoja të mëdha në jetën e qytetarëve tanë dhe në ecurinë e shtetit tonë. PDK ka kontribuar në zgjidhje – të cilën fatkeqësisht ky pushtet i paligjshëm po refuzon ta dëgjojë. Çdo vonesë po i kushton Kosovës. Sot Këshilli i Evropës, nesër fondet ndërkombëtare, pasnesër diçka tjetër, akoma më e madhe”, ka theksuar ajo. / Gazeta Enigma.