Musliu thotë se Burim Ramadani i është përgjigjur ligjërisht dhe institucionalisht Gjykatës Speciale

Musliu thotë se Burim Ramadani i është përgjigjur ligjërisht dhe institucionalisht Gjykatës Speciale

Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani, ka raportuar këtë të premte në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Meqë raportimi u mbajt me dyer të mbyllura dhe mediet nuk u lejuan të qëndronin brenda, pas përfundimit të këtij procesi, Kryetarja e Komisionit, Ganimete Musliu, ka mbajtur një konferencë të shkurtër për medie.

“Ramadani dha një raport prej periudhës korrik 2021 e deri më sot, më tre qershor të vitit 2022”, specifikoi Musliu duke shtuar se në këtë raportim Ramadani u pyet edhe për intervistimin që pati në Gjykatën Speciale.

“Do të ishte e pa arsyeshme raportimi i Burim Ramadanit pa u ndalë tek kjo pikë, dhe pa u informuar rreth kësaj pike”, konfirmoi Musliu, por pa u lëshuar më shumë në atë se çka ai ka raportuar.

“Por, krejt çka mund të ndaj me ju rreth kësaj çështje është se z. Ramadani i është përgjigjur ligjërisht dhe institucionalisht një institucioni tjetër siç është Gjykata Speciale”.

“E ka përfunduar procesin intervistues, ose i është përgjigjur pozitivisht ftesës, në bazë të ligjit dhe kushtetutës së Republiks së Kosovës”, ka shtuar Musliu.

Ajo refuzoi të përgjigjet në pyetje tjera duke udhëzuar që ato, pyetjet, të bëhen te vet institucioni i AKI-së dhe Burim Ramadani.

“Mendoj se përgjigjet tjera duhet t’i jap vet z. Ramadani dhe AKI. Unë tash jo si Kryetare e Komisionit, por si Deputete e Republikës së Kosovës e kam parë të gabuar publikimin e ftesës në web faqen e AKI-së për çka edhe kam reaguar publikisht përmes rrjeteve sociale”, ka përfunduar Ganimete Musliu.

Ndryshe Burim Ramadani është ftuar para disa ditësh nga Gjykata Speciale në një njoftim i cili është bërë i ditur nga vetë AKI-ja si dëshmitar, por vetë Ramadani ka shprehur dyshimin në saktësinë e speciales në këtë rast.

Related Articles