Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se në kohën sa ka qenë kryqeveritar gjatë bisedimeve me palën serbe në Bruksel asnjëherë nuk është diskutuar që të krijohej një “distrikt autonom i Kosovës së veriut” dhe Kisha Ortodokse Serbe do të këtë “status të privilegjuar”.
“Ne kemi dialoguar për temat, për të cilat jemi marrë vesh dhe jemi pajtuar paraprakisht tre palët, Kosova, BE dhe Serbia”, tha Mustafa.
Mustafa thekson se publikimi i këtij dokumenti është provokim për pavarësinë e Kosovës.
“Kjo çfarë është shkruar në ‘non paper’ s’ka qenë asnjëherë propozim dhe temë. Çështjet që janë shtruar aty janë provokim për Kosovën dhe pavarësinë e saj”, shtoi ai për Albanian Post.
Ai ka folur edhe për Drejtoreshën Menaxhuese për Europë dhe Azi Qendrore brenda shërbimit diplomatik dhe ministrisë së kombinuar të jashtme dhe të mbrojtjes në Bashkimin Evropian Angelina Eichhorst, për të cilën mediat serbe raportuan se është autore e “non paper”.
“Mund të them se njerëzit që në atë kohë kanë qenë në ekipin e zonjës Mogerini, asnjë prej tyre në asnjë rast nuk ka hapur apo testuar tema të tilla”, tha Mustafa.