Deputetët gjermanë përkrahin zgjatjen e misionit të ushtrisë gjermane në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë.
KFOR thotë se “Ruajtja e paqes në Ballkan është përgjegjësia jonë”.
Përveç koalicionit në pushtet të tri partive, SPD, të gjelbrit dhe liberalët, edhe partitë opozitare Kristiandemokrate i dhanë mbështetje propozimit të qeverisë gjermane për zgjatjen e mandatit të misionit të Bundesvehrit, si pjesë e KFOR-it në Kosovë.
“Na duhet një KFOR i aftë për veprim për të reduktuar potencialin e vazhdueshëm për konflikte dhe përshkallëzim në veri të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë”, tha deputeti i Bundestagut gjerman, Florian Hahn.
Vazhdimi i pjesëmarrjes së Gjermanisë në misionin e BE-së EUFOR Althea në Bosnjë-Hercegovinë u miratua edhe nga përfaqësues të Alternativës për Gjermaninë.
Vendimi përfundimtar për propozimin e qeverisë gjermane për zgjatjen e të dy mandateve duhet të merret javën e ardhshme.
Sekretarja e shtetit për Mbrojtjen, Siemtje Möller nga SPD tha se Ballkani Perëndimor është fqinji më i afërt prandaj ruajtja e paqes në rajon ishte përgjegjësi e tyre.
Në propozimin e qeverisë thuhet se bazë për misionin e KFOR-it “është ende Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara” dhe thekson se “si Kosova ashtu edhe Serbia e kanë bërë gjithmonë të qartë se duan vazhdimin e pranisë së KFOR-it”.
Misioni i NATO-s në Kosovë, i cili po vazhdon prej 25 vitesh, është angazhimi më i gjatë i ushtrisë gjermane (Bundeswehr) jashtë vendit.
Numri maksimal i pjesëtarëve të njësive gjermane të veprimit të shpejtë do të mbetet në 400.