Naftëtarët kundër vendosjes së çmimeve tavan për derivate, sot pritet të publikohet vendimi në Gazetën Zyrtare

Naftëtarët kundër vendosjes së çmimeve tavan për derivate, sot pritet të publikohet vendimi në Gazetën Zyrtare

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës në mënyrë unanime ka kundërshtuar masat mbrojtëse që Qeveria e Kosovës i ka vendosur për produktet e naftës, ndonëse sot pritet të bëhet publik ky vendim në Gazetën Zyrtare, shkruan Gazeta “Enigma”.

“Ne e kemi dërguar vendimin e MINT-it në organet e drejtësisë. Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës është kundër këtij vendimi në mënyrë unanime”, ka deklaruar Berjani për mediumin tonë.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se ky vendim nga autoritet e Kosovës është bazuar në inspektimin e disa kompanive që kanë abuzuar me çmimet e naftës.

Por sipas tij vendime të tilla “po dëmtojnë të gjithë sektorin e kësaj fushe”.

Më 28 korrik, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) vendosi caktimin e çmimit tavan dhe masave të tjera mbrojtëse për produktet e naftës. Sipas këtij vendimi, marzha maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është 2 centë për litër, ndërkaq tavani i lejuar për shitjen me pakicë është 12 centë për litër. Vendimi do të jetë në fuqi për një muaj.

Pas këtij vendimi Berjani i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës që ta anuloj këtë vendim.

“Ky vendim është i dëmshëm për bizneset sepse me marzhën prej 12 centësh për pakicë është e vështirë të mbijetohet. Lus kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që të anulojë këtë vendim të gabuar”, tha Berjani për “Enigmën”.

Kreu i kësaj shoqate ka theksuar tutje se nëse ka kompani që “manipulojnë dhe abuzojnë me çmime në dëm të qytetarëve, atëherë me to duhet të merren organet relevante e jo të dëmtohen kompanitë që janë korrekte në shërbim të qytetarëve dhe me çmime reale”.

Tutje Berjani tha se “ne kemi dërguar ankesë në MINT dhe ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigje”.

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka kundërshtuar masat mbrojtëse që Qeveria ka vendosur për produktet e naftës dhe kanë njoftuar se “kësaj pune do ti shkojmë deri në fund, është një vendim i dëmshëm për kompanitë që merren me këtë lëmi”.

Ndërsa MINT ka deklaruar se ky vendim është marrë bazuar në monitorimin e çmimeve në tregun e produkteve të naftës, “evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës, si dhe raportet e përditshme nga Inspektorati i Tregut, lidhur me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të naftës, me ç’rast është evidentuar një rritje e çmimeve e cila nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror”.

Aktualisht, çmimi mesatar i një litri naftë në Kosovë është 1.45 euro. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles