Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se e ka nënshkruar vendimin për ekzekutimin e mjeteve për 113 studentët e regjistruar në vitin e parë në programet bachelor në: Gjuhë shqipe dhe Letërsi shqipe në Fakultetin e Filologjisë në UP për vitin akademik 2024/2025.
Përmes një postimi në profilin e saj në Facebook ajo ka thënë se të gjithë këta studentë do të përfitojnë nga 1 mijë euro bursë për çdo vit akademik.
“Kjo në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit që kemi nënshkruar në shkurt të këtij viti me Universitetin e Prishtinës. Përmes kësaj Marrëveshje, MAShTI për herë të parë do të ofrojë bursa vjetore për studentët që regjistrohen në programet Bachelor dhe Master në degët: Gjuhë shqipe dhe Letërsi shqipe në Fakultetin e Filologjisë të UP-së”.
“Synimi ynë është promovimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i shkencave të albanistikës, me vëmendje të veçantë programet e gjuhës shqipe dhe të letërsisë shqipe brenda Fakultetit të Filologjisë. Suksese e vit të mbarë akademik!”, ka thënë Nagavci. /Gazeta Enigma/