Tifozat Kuq e Zi, “besnikët” e kombëtares shqiptare, kanë humbur një nga personat më të rëndësishëm të historisë së tifogrupit.
TKZ, tifogrupi i vetëm mbarëkombëtar që mbështet Shqipërinë dhe çdo sportist që çon lart flamurin kuqezi, u themelua më 25 dhjetor të vitit 2003.
Dhe një prej organizatorëve të parë ishte Adnan Rezniqi, i cili krijoi edhe transparentin e parë të TKZ-së.
Me anë të një postimi në faqen zyrtare, Tifozët Kuq e Zi e cilësojnë Rezniqin një burim frymëzimi dhe krenarie.
“E nderuara familje Rezniqi,
Tifozat Kuq e Zi me dhimbje të thellë morën lajmin për ndarjen nga jeta të Adnan Rezniqit.
Adnani do të mbahet mend për kontributin e çmuar në historinë tonë dhe sidomos për transparentin e parë që u krijua nga duart e tij. Transparent që na ka shoqëruar e përfaqësuar për vite me radhë.
Duke ju shprehur ngushëllimet tona më të ndjera, urojmë që veprimtaria dhe kujtimi për Adnanin të jenë burim frymëzimi dhe krenarie për të gjithë ne.
Me respekt,
Tifozat Kuq e Zi”