“Ndërtimi i burgjeve nga shtetet evropiane në Kosovë – cënon sigurinë nacionale”

“Ndërtimi i burgjeve nga shtetet evropiane në Kosovë – cënon sigurinë nacionale”

Nga shtetet evropiane Kosova është targetuar si destinacion i duhur për ndërtimin e burgjeve, ku pas Danimarkës edhe Belgjika ka shpalosur idenë për ndërtimin e një burgu në shtetin kosovar, shkruan Gazeta Enigma.

Shteti belg do t’i sillte të burgosurit pa dokumente për të vuajtur dënimin. Këtë ide e ka thënë deputeti belg Theo Francken nga partia “N-VA” në një intervistë për gazetën “Het Nieuwsblad”.

Sipas deputetit Francken, kjo ide përshtatet në mënyrë të përkryer me ndalimin e azilit, gjë që partia e tij e ka kërkuar prej kohësh.

Propozimi i deputetit Francken është përfshirë në manifestin zgjedhor të N-VA. Ai e sheh edhe si zgjidhje për dekonstruksionin e burgjeve.

“Ofrimi i shërbimeve për të burgosurit që do të transferoheshin nga vendet me standarde më të larta, është një lloj diskriminimi ndah tyre”

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovë dhe njëherit anëtar i komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Anton Çuni, theksoi se Kosova po bëhet deponi e materieve radioaktive dhe toksike me ndërtimin e burgjeve.

Çuni ndërkohë e gjykon çasjen e zyrtarëve shtetëror ndaj marrëveshjeve të tilla.

“Shtetet që sigurojnë strehë për ndonjë përfitim material për të burgosurit e vendeve të tjera, apo bëhen deponi e materieve radioaktive dhe toksike, janë kryesisht shtetet që kanë probleme të theksuara politike dhe ekonomike. Prandaj, nuk do të doja që edhe për Kosovën të ndërtohet një vlerësim dhe opinion i tillë. Po ashtu, mendoj se ofrimi i shërbimeve për të burgosurit që do të transferoheshin nga vendet me standarde më të larta, është një lloj diskriminimi ndaj tyre. Prandaj, e gjykoj çasjen e zyrtarëve shtetëror të cilët bëhen pjesë e marrëveshjeve të tilla, ku në fakt bëhen pjesë e politikave diskriminuese në baza racore, regjionale etj”, tha Çuni për Enigmën.

“Kosova duhet të jetë e kujdesshme në veprime, padyshim një hap i ngutshëm do të prodhonte probleme që cenojnë sigurinë nacionale të vendit”

Tutje, eksperti i Sigurisë, Drizan Shala, theksoi se një gjë e tillë do të jetë një goditje për sigurinë e Kosovës, pasi që me këtë veprim shtetet evropiane duan të largojnë një problem të madh nga “oborret” e tyre.

“Vendosjes e Kosovës në agjendën e disa shteteve që të jetë si hapsirë për strehimin e burgosurve në padyshim do të jetë një goditje e rënd për sigurinë e vendit me që do të jemi vendi që do të bart barrën e sigurisë kundrejt financimit të burgjeve nga ana e shteteve që dëshirojn të largojn një problem më të madh nga “oborret” e tyre që tani me i kanë. Kosova duhet të jetë e kujdesshme në veprime padyshim një hap i ngutshëm do të prodhonte më shumë probleme që mund të shfaqen deri aty ku cenohet siguria nacionale e vendit nga një lëvizje e till politike për një veprim të till ekonomik”, përfundoi Shala për Enigmën.

An-Sofie Vanhouche, profesoreshë e kriminologjisë në VUB, ka zbutur pritshmëritë lidhur me këtë ide. Sidomos nëse krahasimi bëhet me Danimarkën, sepse marrëveshja Danimarkë-Kosovë nuk është zhvilluar plotësisht.

“Burgu në vetvete është ndërtuar tashmë. Megjithatë shumë gjëra duhet të rregullohen dhe shumë mbeten të paqarta,” tregon Vanhouche nga bisedat që ajo pati me kolegët e saj danezë në shkurt.

Ndërtimi i një objekti është mjaft i thjeshtë, transferimi i njerëzve në Kosovë nuk është, thotë ajo.

“Të arrestuarit nuk duan thjesht të transferohen në një vend tjetër. Vetëm për shkak se janë dënuar nuk do të thotë se ata nuk i ruajnë të drejtat e tyre.”, ka thënë ajo.

Vanhouche ka ngritur edhe pikëpyetje nëse mund të garantohen të drejtat e njeriut në burgjet në Kosovë.

“Ky është problemi i parë për Danimarkën. Shumë avokatë nuk e konsiderojnë këtë të realizueshme.”, ka shtuar ajo.

Danimarka nënshkroi 27 prill të vitit 2022 një marrëveshje me Kosovën për të sjellë 300 të burgosur në Kosovë si përpjekje për të reduktuar mbipopullimin në burgjet e Danimarkës./GAZETAENIGMA/

Related Articles