Florent Hadërgjonaj në krahun e djathtë të mbrojtjes. Në të njëjtin krah, më i avancuar Xherdan Shaqiri. Në mesfushë kapiteni Valon Behrami dhe Granit Xhaka. Në sulm Admir Mehmedi.
Pesë futbollistët shqiptarë e mbyllën me fitore ndeshjen miqësore ndaj Bjellorusisë. Golin e fitores për Zvicrën e pati shënuar Xherdan Shaqiri. Ishte supergol.
Hadërgjonaj festoi golin nga stoli. Ai debutoi për Zvicrën me të nisur pjesa e dytë e miqësores së 1 qershorit 2017. Xhaka u paraqit prej minutës së 65-të. Ai ishte pranë një supergoli në minutën e 86-të. Pranoi një top nga Hadërgjonaj, por gjuajtja përfundoi pranë portës bjelloruse.
Në vend të pasimeve për Xhakën e Shaqirin, Hadërgjonaj të shtunën do ta ketë një mision tjetër – t’i ndalë yjet e Zvicrës.
“Ka qenë ndeshje e veçantë. Ka qenë ndeshja e parë me Zvicrën, kam luajtur për gjeneratat e reja dhe erdhi ftesa për ekipin e parë. Ka qenë diçka madhështore. Të luaj me Xherdanin, Granitin e të tjerët ishte një ëndërr e realizuar për mua. Nuk e harroj kurrë”, kujton Hadërgjonaj ndeshjen kur ishte në ekip me Shaqirin e Xhakën.
29-vjeçari pauzoi më pas. Nuk u ftua në shumë ndeshje të Zvicrës. Ftesë nga ish-selektori i Zvicrës, Vladimir Petkoviq mori edhe për dy ndeshjet e muajit tetor të vitit 2018. Por kundër Belgjikës dhe Islandës nuk u paraqit.
Pasi nuk po merrte rastin te Zvicra, vendosi për Kosovën.
“Nuk ka qenë i vështirë, pasi kam qenë i vendosur shumë më herët. Kam pasur biseda me Kosovën edhe kur kam luajtur me Zvicrën. Por kam pritur momentin për ta bërë këtë ndryshim. Dhe nuk ishte lehtë, sepse Zvicra nuk lejonte aq lehtë, pasi kam luajtur për gjeneratat e reja. Është dashur të flas edhe me ata për të gjetur zgjidhjen më të mirë dhe më të lehtë. Unë e kam pasur mendjen për t’i dhënë diçka vendlindjes së prindërve të mi, vendit ku i kam kaluar pushimet. Kam dashur t’i kthej diçka pa kurrfarë interesi. Ishte vendim i zemrës”, thekson Hadërgjonaj.
Hadërgjonaj është ndër të rrallët lojtarë që ka pasur rastin të paraqitet për dy shtetet në nivelin senior.
“Nuk besoj se shumë lojtarë kanë mundur ta arrijnë këtë. Në të dyja anët nëse e shohim, i kam dhënë diçka vendit ku u linda dhe u rrita, por tash jam shumë pozitiv që mund të luaj për Kosovën dhe mund t’i jap diçka vendit të lindjes të prindërve të mi”.
Ndeshja ndaj Zvicrës për Hadërgjonajn do të jetë speciale. Ai mezi pret të paraqitet në fushë.
“Gjithmonë është speciale të luash në Prishtinë. Edhe në Zuerich kundër Zvicrës kur kemi luajtur ka qenë e veçantë, sepse ishte speciale t’i shohësh të gjithë ata shikues në stadium. Ishte e pabesueshme. Por tash do të luftojmë për pikët e plota. Do të jetë e jashtëzakonshme, shpresoj ta kemi përkrahjen e të gjithë shikuesve të Kosovës, sepse kemi nevojë për ta. Kemi një plan t’i marrim tri pikët kundër një ekipi me cilësi”, thotë ai.
Hadërgjonaj nuk e di se si do të priten Xhaka, Shaqiri, Ardon Jashari e Uran Bislimi nga shikuesit. Insiston se synimi i Kosovës është fitorja.
Hadërgjonaj ka ruajtur miqësinë, sidomos me Xherdan Shaqirin.
“Besoj se do të flasim me të dhe do të shohim se çka do të thotë ai (Shaqiri v.j.). Do të shohim se çfarë do të thotë ai dhe çfarë unë. Shpresoj në fitore të ekipit tonë. Kam shoqëri të ngushtë me Xherdanin, do të jetë shumë speciale për atë, sepse luan për herë të parë në Kosovë. Speciale do të jetë edhe për mua, por shpresoj të dalim ne fitues”, ka thënë Hadërgjonaj.
Hadërgjonaj ka shënuar një gol për Kosovën në 25 ndeshje. Për Zvicrën U20 luajti tri ndeshje, ndërsa për përfaqësuesen U21 të Zvicrës pati dhjetë paraqitje.