Sulmuesi shqiptar, Armando Broja ka thënë se ndihet shumë i lumtur që ka kompletuar kalimin te Fulhami nga Chelsea në afatin kalimtar të janarit.
Fulhami arriti të fitojë garën me klubet tjera të interesuara angleze për shërbimet e 22-vjeçarit shqiptar, pas bisedimeve të stërzgjatura me Blutë.
Zyrtarizimi i Brojës erdhi vetëm pas mesnatës, si një huazim deri në fund të sezonit 2023/24.
Pas zyrtarizimit, 22-vjeçari do të kërkojë të ndikojë këtu, ngjashëm si më parë në skuadrën holandeze Vitesse dhe te Southamptoni në Ligën Premier.
“Ndihem mrekullueshëm. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe mezi pres të filloj, të takoj lojtarët dhe menaxherin dhe të luaj për tifozët”, ka thënë fillimisht Broja.
“Tifozët luajnë gjithmonë një rol të madh dhe mezi pres të shkoj në Craven Cottage dhe t’i takoj të gjithë. Do të punoj shumë për ekipin dhe do të krijoj një lidhje të vërtetë”.
“Jam vërtet i nderuar dhe i emocionuar që jam këtu”, përfundoi sulmuesi shqiptar.