Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka folur rreth ndikimit të Rusisë në rajon.
Sipas tij mediat ruse të kontrolluara nga shteti bombardojnë audiencën me dezinformata në lidhje me gjoja “operacionin ushtarak special”, të forcave ruse kundër Ukrainës.
“Fushata e Rusisë kundër së vërtetës është shtrirë për vite me radhë tek aleatët e Rusisë në mbarë botën, duke përfshirë edhe rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa shohim se këto përpjekje janë zgjeruar brenda Rusisë dhe Ukrainës, është përgjegjësia jonë që të jemi edhe më të kujdesshëm ndaj ndikimeve keqdashëse të informacionit në rajonin tonë”, ka shkruar Mehaj.
Mehaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, është shprehur se ekzekutivi dhe institucionet janë në nivelin maksimal të përgjegjësisë dhe detyrës për informimin e drejtë.
“Kosova me krenari mbështet zërat e guximshëm ukrainas dhe rus të së vërtetës, të cilët po rezistojnë në rrezik të madh për veten e tyre. Ne jemi gjithashtu krenarë për vendimin tonë për të ofruar mbështetje të veçantë për gazetarët dhe refugjatët ukrainas në Kosovë”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e saj janë në nivelin maksimal të përgjegjësisë dhe detyrës për informimin e drejtë dhe në kohë për të gjitha çështjet me interes të përbashkët”.