Ndryshimi i pakos ligjore në sistemin prokurorial, optimal viti i ardhshëm

Ndryshimi i pakos ligjore në sistemin prokurorial, optimal viti i ardhshëm

Grupi Punues për ligjet e sistemit prokurorial, do të trajtojë rekomandimin për heqjen e Kryeprokurorit nga Këshilli Prokurorial.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, ka thënë se ky grup punues është duke diskutuar plotësim-ndryshimin dhe finalizimin e ligjeve për Këshillin Prokurorial të Kosovës, atë për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës si dhe Ligjin për Prokurorin e Shtetit.

“Është themeluar një grup punues i cili do të plotësoj-ndryshoj një paket ligjesh që të rregullojnë sistemin prokurorial në Kosovë, do të plotësohet ndryshohet, Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Ligji për Prokurorin e Shtetit, si dhe Ligji për Prokurorinë Speciale”.

“Kjo paket ligjesh është aktualisht në shqyrtim nga grupi punues, synimi i kësaj nisme vjen nga rekomandimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit, dhe Rishikimit Funksional i cili ka qenë një proces i gjatë, në të cilin përfshirë shumë akter në sistemin e drejtësisë dhe të sundimit të ligjit, dhe si e tillë vjen si rekomandim e kësaj Strategjie, ndërmarrja e një nisme të tillë”.

Shala thotë se rekomandimet që është duke i shqyrtuar Grupi Punues nuk janë të njëanshme pasi kanë qenë të përfshirë edhe përfaqësues të sistemit prokurorial.

“Realisht një gjë e tillë nuk është thelbi i çështjes. Një rekomandim nga Strategjia për Sundimin e Ligjit është i domosdoshëm që të shikohet të analizohet në qoftë se duhet që në Këshillin Prokurorial të jetë anëtarë edhe Prokurori i Shtetit, duke pasur parasysh që Këshilli Prokurorial duhet të jetë një organ i pavarur dhe i pa ndikueshëm dhe në një far forme i shkëputur por jo totalisht nga sistemi prokurorial, kështu që një nga rekomandimet është kjo, prandaj grupi punues do të punojë që ta adresojë, sesi mund të adresohet kjo çështje”.

“Këto rekomandime nuk kanë ardhur vetëm nga Strategjia e Sundimit të Ligjit, nuk janë të njëanëshme ose vetëm të një akterit janë rekomandime që janë rekomanduara me palët e përfshira, me akter të ndryshëm dhe përfshirë edhe përfaqësues nga sistemi prokurorial”. 

Po ashtu, edhe Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha për Ekonomia Online, se të gjitha rekomandimet që janë dhënë nga Strategjia për Sundimin e Ligjit janë për ngritje të llogaridhënies, e ndër to është edhe mos përfshirja e Kryeprokurorit të Shtetit në Këshillin Prokurorial.

“Aktualisht ministria e Drejtësisë ka iniciuar një reformë në kuadër të sistemit prokurorial, përkatësisht ka iniciuar plotësim-ndryshimin e këtyre tri ligjeve kryesore në këtë fushë, siç është Ligji për Prokurorin e Shtetit, Ligji për Këshillin Prokurorial dhe Ligji për Prokurorinë Speciale të Kosovës. Ndryshimi i këtyre ligjeve është edhe derivat i gjetjeve të Rishikimit  Funksional të sistemit të drejtësisë, i cili ka skanuar të gjithë gjendjen në sistemin e drejtësisë dhe ka dhënë rekomandimet konkrete. Njëra prej çështjeve që duhet të adresohet me rastin e rishikimit të këtyre ligjeve është edhe çështja e mandatit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, në mënyrë që jo një shumicë absolute të zgjidhet pikërisht nga sistemi prokurorial, mirëpo të zgjedhën nga akter të jashtëm, si dhe të ulët numri i tyre për shkak që në një farë forme të ngritët llogaridhënia brenda sistemit prokurorial”.

“Aspekt tjetër që ka dal nga Rishikimi Funksional është edhe mos përfshirja e Kyreprokurorit të Shtetit në Këshillin Prokurorial. Po ashtu, ka edhe aspekte të tjera që duhet të adresohen me këto ligje. E rëndësishme është që grupi punues ta bëjë ndryshimin e ligjeve vetëm duke u bazuar në gjetjen e Rishikimit Funksional të sektorit të sundimit të ligjit, pasi aty është bërë një analizë e madhe dhe po ashtu, rekomandimet kanë dal konkrete, dhe të mos cenohet e drejta e asnjë subjektit qoftë prokurorë apo akter tjetër brenda sistemit prokurorial”.

Sipas tij, draftimi i këtyre ligjeve do të merr kohë. Ai konsideron që viti i ardhshëm është periudhë më reale për arritjen e finalizimit të ndryshimit të pakos ligjore për sistemin prokurorial.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi është pjesë e grupit punues, tash jemi në fazat e para të draftimit të këtyre ligjeve, dhe realisht nuk mundemi me paragjykua sa do të na duhet që ta përmbyllim draftin sa i përket këtyre ligjeve. Mirëpo, duhet pasur parasysh edhe një çështje që bëhet për tri ligje për adresimin e një mori çështjeve që mund të zgjas deri sa të dakordohen, prandaj nuk mund të presim që brenda këtij viti të kemi draftet e këtyre projektligjeve, aq më pak të miratuar nga ana e Kuvendit, që konsideroj që periudhë optimale është viti i ardhshëm”.

Ky Grupi Punues i përbërë nga përfaqësues të institucioneve relevante, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspert vendor dhe ndërkombëtar, ka mbajtur takimin e parë më 1 tetor të këtij viti.

Related Articles