Gjermania ka arritur një marrëveshje të re për formimin e qeverisë, me Friedrich Merz (CDU) që pritet të marrë postin e kancelarit, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas kësa marrëveshje në qendër të agjendës së koalicionit të ri janë reformat në politikat e migracionit, rishikimi i ligjit për shtetësinë dhe masat për rimëkëmbjen e ekonomisë pas një periudhe të gjatë recesioni.
Një nga ndryshimet më të mëdha do të jetë kufizimi i kuotës për lejet e punës për vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila do të përgjysmohet nga 50.000 në 25.000 në vit. Ky ndryshim prek qytetarët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia. Ekspertët vënë theksin se ardhja e punëtorëve duhet të bazohet në nivelin e kualifikimit profesional, jo vetëm në përkatësinë rajonale.
Përsa i përket shtetësisë, koalicioni i ri do të zgjasë afatin minimal për marrjen e saj nga tre në pesë vjet, duke ashpërsuar ndjeshëm rregullat aktuale. Gjithashtu, do të ndërpriten pranimet vullnetare për disa kategori migrantësh, përfshirë edhe ato nga Afganistani, ndërsa bashkimi familjar do të ndalohet për disa kategori refugjatësh.
“Gjermania është në rrugën e duhur,” tha Friedrich Merz, duke e cilësuar marrëveshjen si një “sinjal të fortë për Evropën”. Ai theksoi gjithashtu se “Evropa mund të mbështetet te Gjermania” dhe se vendi do të “përmbushë detyrimet në fushën e mbrojtjes” dhe do të punojë për “të rritur konkurrueshmërinë”.
Në fushën ekonomike, marrëveshja parashikon lehtësime fiskale për bizneset, përjashtimin e orëve shtesë nga tatimi dhe nxitjen e punësimit në mesin e pensionistëve për të përballuar mungesat në tregun e punës.
Pavarësisht masave më të ashpra migratore, Ballkani Perëndimor mbetet pjesë e interesit strategjik të Berlinit. Procesi i Berlinit do të vazhdojë si platformë për avancimin e vendeve të rajonit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.