Qeveria e Kosovës sot ka zhvilluar mbledhjen e radhës.
Kabineti qeveritar në këtë mbledhje pritet të shqyrtojë 12 pika të rendit të ditës.
Me këtë rast kryeministri Kurti ka deklaruar se brenda dy viteve qeverisje kanë dëshmuar vullnetin për të luftuar krimin dhe korrupsionin.
“Kemi dëshmuar bindshëm dhe në vazhdimësi vullnetin për të luftuar krimin dhe korrupsionin si dhe për reforma në drejtësi e administratën publike.Edhe përmes veprimeve tona të përditshme dhe vlerësimeve vjetore të ndërkombëtarëve. Krahas vullnetit dhe guximit për të zbatuar ligjet në fuqi kemi miratuar edhe ligje të tjera që do të jetësonin reformat e programit tonë qeverisës për të cilat qytetarët tanë votuan masivisht dy vite më parë.Ligje të shumta në kuadër të administratës publike janë disa prej këtyre”,tha Kurti.
E sipas tij, jo për rastësi të tëra këto ligje bashkë janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita.
“Megjithatë jo për rastësi të tëra këto ligje bashkë me ato të masave të përkohshme mbrojtëse të produkteve themelore nga ku bëhet parandalimi i abuzimit me çmimet e produkteve bazë janë dërguar në Kushtetuese nga opozita.Madje ligji për Këshillin Prokurorial ka më shumë se gjashtë muaj që është në trajtim. Në historinë 15 vjeçare të Kosovës nuk mbahet mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Kushtetuese brenda një kohe kaq të shkurtër.Kjo është përpjekje dëshpëruese për ndalim të reformave, po ashtu kundërshtim i hapur i nevojës dhe kërkesës qytetarë dhe refuzim i vullnetit qytetar të 14 shkurtit”,shtoi Kurti.
I pari i Qeverisë, Albin Kurti tha se “angazhimi jonë mbetet i njëjti, zelli edhe më i madh e ecja jonë s’do të ndalet. Sot do të bëjmë edhe hapin e radhës në kuadër të kësaj mbledhje”.