Në rast të rritjes së çmimit të energjisë eletrike, Tahiri paralajmëron seancë të jashtëzakonshme

Në rast të rritjes së çmimit të energjisë eletrike, Tahiri paralajmëron seancë të jashtëzakonshme

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri përveç se ka diskutuar në Kuvend, edhe në një konferencë për media ka folur për rritjen e çmimit të energjisë eletrike dhe produkteve bazë.

Sipas Tahirit kjo e rëndon gjendjen ekonomike dhe se është e papranueshme për qytetarët e Kosovës, derisa theksoi se këtë rritje të çmimeve këta të fundit nuk mund ta përballojnë.

 “Sot duke parë gjendjen që po rëndohet çdo ditë e më shumë me energji elektrtike, dhe në anën tjetër duke parë papërgjegjësinë e kryeministrit dhe qeverisë, kërkuam që të mbajmë një debat në lidhje me këtë situatë.  Në mënyrë që qytetarët të kalojnë sa më lehtë këtë dimër, kërkojmë që në asnjë rrethanë të mos ngritet çmimi i energjisë. Kjo është e papërballueshme për qytetarët dhe nuk guxon të ndodhë.”, ka thënë ai.

E për këtë, Tahiri ia ka adresuar kritikat deputetëve të Vetëvendosjes, të cilët nuk e përkrahën mocionin e PDK-së.

 “Si po shkon puna, Kosova do të jetë një nga 10 vendet që do të paguaj më së shtrenjti energjinë elektrike në Evropë. Është duke u manipuluar me të madhe në lidhje me shifrat dhe statistikat për furnizim nga ana e qeverisë. Si opozitë, ne nuk do të ndalemi”.

“Do të punojmë dhe do të përdorim të gjitha instrumentet për të ftuar në seancë të jashtëzakonshme kryeministrin Kurti që të mos lejojmë ngritjen e çmimit të energjisë. Secila familje kosovare, sado e vogël të jetë ajo, do të kaloj 600 këh energji elektrike brenda muajit dhe do të preken nga rritja e çmimit të energjisë. Pagat nuk janë rritur, prandaj, pagat e qytetarëve tanë, mësuesve, policëve, të sektorit privat, nuk do të mund ta përballojnë rritjen e çmimit të energjisë.”, ka theksuar Tahiri.

Ai tutje ka paralajmëruar se PDK do kundërshtojë vazhdimisht këtë tendencë, duke paralajmëruar edhe një seancë të jashtëzakonshme ku do të iniciohet një rezolutë e cila parandalon ngritjen e çmimit të energjisë.

Ndër të tjera, Tahiri shtoi se miratimi I një resolute e cila I kërkon ZRRE-së që të mos lejojë ngritjen e çmimit të energjisë është e pashmangshme.

“Miratimi i një rezolute e cila i kërkon ZRRE-së që të mos lejoj ngritjen e çmimit të energjisë është e pashmangshme. Si Grup Parlamentar, për ne, më e rëndësishmja sot është parandalimi i ngritjes së çmimit të energjisë. Është e paparanueshme që të paguajmë rrymën më së shtrenjti në Evropë. E ftojmë kryeministrin që të jetë më i përgjegjshëm karshi kësaj situate sepse sot për sot nuk ka brengë më të madhe për qytetarët sesa furnizimi me energji.”, ka përfunduar ai. /Gazeta Enigma/.

Related Articles