Më 2 nëntor të vitit të kaluar një islamist në Vjenë kreu një sulm me një kallashnikov dhe një pistoletë të markës Tokarev. Në afërsi të një sinagoge Kujtim F. nga Maqedonia e Veriut shtiu duke vrarë katër persona dhe lënduar më tepër se 20 tjerë.
Ai më pas vdiq pas një shkëmbimi zjarri me forcat policore.
Në atë mbrëmje Kujtim F., një përkrahës i organizatës terroriste ISIS, kishte mbajtur një rrip me material shpërthyes në trupin e tirë, të bërë nga kënaçet e Coca-Colas.
Pas hulumtimeve të “Der Spiegel” dhe gazetës austriake “Der Standard”, një eksperte e mjekësisë ligjore ka bërë një zbulim. Ajo ka zbuluar gjurmë të ADN-së në rrip, që thuajse me siguri mund t’i atribuohet një islamisti me të cilin Kujtim F. ishte mik: Blinor S. 20-vjeçar, një kosovar që jeton në Osnabrueck të Gjermanisë.
Sipas raportit, gjurmët u gjetën në një shirit që përdorej për të mbajtur aparatin shpërthyes bashkë. Është e paqartë se si dhe kur është gjetur kjo në rrip.
Gjetja ngre në pyetje se çfarë dinte Blinor S. dhe një islamist tjetër nga Gjermania për planet për sulmin e Kujtim F. në Vjenë.
Hetimet ndaj Blinor S. dhe 26-vjeçarit Drilon G., që është nga Kasseli i Gjermanisë, kanë nisur qysh në verë. Në korrik, forcat speciale kanë kontrolluar apartamentet e të dyve. Në bastisjen e parë, para një viti, ata ende konsideroheshin vetëm si dëshmitarë.
Ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme në Karlsruhe akuzon ata se nuk kanë raportuar një krim të planifikuar. Avokatët e të dyshuarve refuzuan të komentojnë në lidhje me akuzat. Avokati i Blinor S. ka thënë se raporti i ADN-së nuk është ende në dispozicion të tyre. Të dy burrat janë në liri.
Blinor S. dhe Drilon G. kishin udhëtuar në Vjenë për disa ditë, tre muaj e gjysmë para sulmit. Sipas një informacioni nga autoritetet gjermane, zyrtarët austriakë vëzhguan të dy që kur arritën në aeroportin Sch]echat. Ata vëzhguan se si mysafirët nga Gjermania u morën nga atentatori i Vjenës, Kujtim F. me një veturë Ford Focus dhe shkuan në qendër të qytetit.
Në ditët në vazhdim, disa islamistë nga Austria, Gjermania dhe Zvicra u takuan në Vjenë. Ata herë takoheshin në park, herë në xhami, herë në restorant apo edhe në apartamente private.
Siç thuhet në dosjen që ka mundur të shohë “Der Standard” dhe “Spiegel”, hetuesit supozojnë se Kujtim F. ka folur në një nga këto takime për planin për të kryer sulm me armë zjarri në emër të Shtetit Islamik (IS).
Të nesërmen islamistët u kthyen në Gjermani dhe Kujtim F. shkoi në Sllovaki, për të kërkuar municion për një kallashnikov në dyqanin e armëve Luxury Gans në Bratislavë. Ai kishte marrë armën katër javë më herët.
Blinor S. dhe Drilon G., akuzohen nga Prokuroria e Përgjithshme në Karlsruhe, se kishin pasur mundësinë që pas takimit në Vjenë të parandalonin sulmin duke e denoncuar atë. Për shkak se nuk e raportuan rastin në Polici, por heshtën, ata e kishin pranuar vdekjen e viktimave. Një student gjerman vdiq po ashtu në sulmin e 2 nëntorit të vitit të kaluar.
Në mbrëmjen e sulmit, islamistët nga Gjermania thuhet se kishin filluar të fshinin përmbajtjet nga celularët e tyre, për të fshehur lidhjet me Kujtim F./Gazeta Enigma/