Ditë më parë, Lista Serbe ka njoftuar në lidhje me largimin e tyre nga institucionet e Kosovës.
Kurse sot në kuadër të Parlamentit të Kosovës njoftohet se janë regjistruar nëntë deputetë të Listës Serbe, si deputetë të rinj.
Kjo është bërë e ditur nga këshilltari i kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Ilir Kërçeli.
“Nëntë deputetë të Listës Serbe janë regjistruar sot si deputetë të rinj në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
Përgjatë dy javëve në veri të vendit pati zhvillime të njëpasnjëshme.
Si fillim u shkarkua drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjurqi. Pas tij, dorëheqje dhanë rreth 600 zyrtarë policorë.
Po ashtu nga institucionet drejtuese të vendit u larguan edhe Lista Serbe, si dhe dorëheqje dhanë kryetarët e komunave me shumicë serbe.
Këtyre dorëheqjeve iu bashkuan edhe prokurorë, gjyqtarë, zyrtarë të Doganës së Kosovës e zyrtarë të KQZ-së nga nacionaliteti serb.
Kësisoj, nga Qeveria e Kosovës u bë thirrje vazhdimisht që mos të braktisen institucionet e Kosovës ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja kërkuan që gjithçka të zgjidhet përmes dialogut.
Ndryshe ditë më parë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani shpalli 18 dhjetorin si datë të zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe.
Përgjatë gjithë këtyre zhvillimeve, serbëve të cilët nuk kanë ri-regjistruar automjetet e tyre nga ato me targa ilegale në RKS u shqiptohen fletëqortime, ndërsa nga 21 nëntori pritet të nis edhe shqiptimi i gjobave.
Nga ndërkombëtarët është kërkuar shtyrja e afatit për targat, por Qeveria e Kosovës pati marrë vendim që vetëm të ndryshohet.
Para dy ditësh në Bruksel pati një takim në mes zv/kryeministrit Besnik Bislimi dhe përfaqësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Por nga BE-ja është konfirmuar se aty nuk pati ndonjë marrëveshje të re në lidhje me targat.