Në Kosovë mund ta marrësh pensionin e punës vetëm nëse i ke fiks 15 vjet stazh para luftës. Nuk mjaftojnë 14 vite e 11 muaj, madje as edhe më shumë se kaq, nëse të mungojnë qoftë edhe dy ditë.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, në një konferencë për media ka kërkuar nga të gjithë deputetët e Kosovës që ta përkrahin nismën ligjore për njohjen e stazhit të punës për pensionistët, shkruan Gazeta “Enigma”.
Tutje Dreshaj tha se janë pjekur kushtet që “neni diskriminues të largohet dhe t’u kthehet vlera dhe merita brezave që kanë kontribuuar me vite”.
“Bëhet fjalë për kriterin për 15 vite përvojë pune para luftës si kusht që pensionistit t’i njihet pensioni kontributdhënës. Të largohet kriteri diskriminues që kërkohet që pensionisti të ketë 15 vite pune para 99. Dua t’ju rikujtoj se kjo iniciativë nuk është e re, pasi edhe legjislaturat paraprake e kanë pasur”, ka deklaruar ai.
Dreshaj ka theksuar se mosnjohja e stazhit të punës është padrejtësi e madhe për të gjithë pensionistët.
“Mosnjohja e stazhit të punës është një padrejtësi e madhe që u është bërë pensionistëve andaj është koha që ketë nismë legjislative ta përkrahin të gjithë. Kemi biseduar dhe kjo nuk është iniciativë e ndarë e grupit të Aleancës. Janë pjekur kushtet që ky nen diskriminues të largohet dhe t’u kthehet vlera dhe meritave brezave që kanë kontribuuar vite të tëra për ditët që i kemi sot”, ka thënë Dreshaj.
Sipas propozimit të AAK-së, kur punëtorët arrijnë moshën 65 vjeç, atëherë duhet të marrin pension për vitet sa kanë kontribuar para luftës, sado që janë, e jo që domosdoshmërisht të jenë së paku 15 vjet.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiun i cili ka deklaruar se reforma pensionale dhe sociale në Kosovë është e domosdoshme.
“Si PDK ende nuk e kemi trajtuar, personalisht e vlerësoj, veprim shumë të drejtë dhe të nevojshëm për të eliminuar një padrejtësi që është duke ju bërë një pjesë të madhe të qytetarëve me rastin e pensionimit”, ka .
“Gjithashtu vlerësoj se reforma pensionale dhe sociale ne Kosovë është e domosdoshme”, ka theksuar Haxhiu për “Enigmën”.
Ndërsa ekspertja e ekonomisë, Yllnore Bytyqi- Shala, në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se largimi i një karakteri të tillë do të shkaktonte probleme të ndryshme në sistemin financiar të Kosovës.
“Në lidhje me procesin e pensionimit për punëtorët që nuk i kanë mbush kriterin prej 15 viteve, unë mendojë që largimi i një kriteri të tillë do të shkaktonte probleme të ndryshme në sistemin financiar të Republikës, marrë parasysh faktin që buxheti i ndarë për vitin buxhetor është i precizuar me kode”, ka deklaruar ajo.
Tutje Bytyqi- Shala ka thënë se “buxheti do të ishte problematik për të ndryshuar sepse do kishte me pas impakt retrospektive për vitet tjera ku shumë qytetar do të kërkonin pensionet e tyre me këtë ndryshim eventual të kriterit në ligjin për pensionime”.
Bytyqi-Shala: Zgjidhja e këtij problemi mund të bëhet përmes bisedimeve në Bruksel duke kërkuar nga Serbia që të marrë fondin financiar të pensioneve të cilin e ka integruar dhunshëm në Beograd.
“Sepse zgjedhja e këtij problemi do kishte me u zgjedh përmes bisedimeve në Bruksel duke kërkuar nga Serbia ku dihet sipas të gjitha indikatorëve e ka marrë fondin financiar të pensioneve dhe e ka integruar dhunshëm në Beograd dhe ato mjete janë atje”, ka deklaruar ajo për “Enigmën”.
Sipas saj “duhet të bëhet indeksimi i tyre dhe kapitalizimi i atyre mjeteve në mënyrë që ato pensione të grumbulluara në një fond, i cili patjetër që ka qenë i fuqishëm në çdo shtet, do të duhej që t’u kthehen qytetarëve sepse është e drejtë e fituar e tyre dhe kështu do kishte me u përmbyll kjo pikë pa ndryshuar fare ndryshimin e ligjit në fjalë”.
Kujtojmë se kjo nismë është bërë edhe vitin e kaluar nga Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, e cila pati deklaruar se duhet sa më shpejt të miratohen ndryshimet në këtë ligj diskriminues./Gazeta Enigma/