Nga debati për rërën te krismat – si ndodhi tragjedia e Velipojës

Nga debati për rërën te krismat – si ndodhi tragjedia e Velipojës

Një konflikt verbal mes dy familjeve në Velipojë të Shkodrës, do të kthehej në tragjedi mesnatën e djeshme, duke tronditur të gjithë vendin. 4 persona, mes tyre dy vëllezër dhe një i ri vetëm 20 vjeç, u vranë nga breshëria e plumbave.

Pikënisja e gjithçka ka qenë një sherr për disa shezlongë në plazhin e Velipojës.

Nga kjo ngjarje kanë humbur jetën: Kujtim Ferracaku, Xhovani Gocaj, Edmond Gocaj dhe Myzerim Zeneli.

Ndërsa të plagosur kanë mbetur Hasan Ferracaku dhe Elmedin Tyli. Ky i fundit vetëm 17 vjeç. I gjithë konflikti ka nisur teksa dy familjet Gocaj pronarë të hotel “Gocaj” dhe Ferracaku, që zotërojnë hotel “Fantazia”, po ndanin rërën për të vendosur çadrat e e plazhit. Të dy hotelet ndodhen nga njëri-tjetri në një distancë prej 50 metra.

Gjithçka nisi si një konflikt verbal, më pas palët nxorën armët dhe i morën jetën njëri-tjetrit. Mes viktimave është edhe Myzerim Zeneli, punonjës i shezlongëve dhe kamarier te hoteli i vëllezërve Gocaj, vetëm 20 vjeç.

Xhovani Gocaj, 25-vjeçari që u vra

Mendohet se në vendin e ngjarjes është shtënë nga disa armë, ndërsa FNSH dhe RENEA-t po krehin zonën duke kërkuar të përfshirët e tjerë në konflikt. Deri më tani janë sekuestruar kamerat e sigurisë të të dy hoteleve për të krijuar një panoramë më të qartë të ngjarjes së rëndë.

Dinamika e krimit të rëndë hap pas hapi

Ferracaku shkoi të sqaronte sherrin te hoteli “Gocaj”

Kujtim Ferracaku i shoqëruar nga vëllai i tij, Hasan Ferracaku dhe nga disa persona të tjerë, shkuan të sqaronin sherrin për rërën te pronarët e hotelit Gocaj, Xhovani dhe Edmond Gocaj. Mes dy familjeve kishte pasur më herët debate dhe përplasje verbale për vendosjen e çadrave të plazhit, në hapësirën përpara hotelit. Të dy familjet pretendonin pronësinë e rërës dhe akuzonin njëri-tjetrin se kishin zënë hapësirën. Edhe dje pasdite mes dy familjeve ka patur fërkime, ndërsa nuk kanë munguar edhe konfrontimet fizike. Por më e keqja nuk kishte ardhur ende. Në vend të fjalëve dhe sqarimit për çështjen që kishte sjellë konfliktin, palët nxjerrin armët dhe shkrehin karikatorët drejt njëri-tjetrit, duke sjellë atë që tashmë njihet si tragjedia e Velipojës.

Nga përplasja me armë u vranë dy vëllezërit Gocaj

Xhovani Gocaj, 25-vjeçari që u vra

Xhovani Gocaj 25 vjeç dhe Edmond Gocaj 38 vjeç, janë dy vëllezërit, pronarë të hotel “Gocaj” në Velipojë, që u vranë mbrëmjen e kaluar, gjatë konfliktit me fisin Ferracaku. Babai i dy vëllezërve i përlotur foli sot për mediat, ku deklaroi se Kujtim e Hasan Ferracaku kishin shkuar te hoteli të armatosur dhe jo për të biseduar për zgjidhjen e konfliktit. Ai tha se i pari që është qëlluar me armë zjarri ka qenë djali i tij i madh, Edmond Gocaj i cili me letra angleze, ishte kthyer në Velipojë për të investuar. Në këtë përplasje humbi jetën edhe punonjësi i hotelit “Gocaj”, Myzerim Zenelin i cili ishte kamarier, si dhe Kujtim Ferracaku, vëllai i Hasan Ferracakut dhe babai i të ekzekutuarit në 2018, Arjan Ferracaku.

Kujtim Ferracaku, babai i Arjan Ferracakut i vrarë në 2018

Viktimë e ngjarjes së djeshme mbeti Kujtim Ferracaku, pronar i hotel “Fantazia” në Velipojë. Ai është babai i Arjan Ferracakut i ekzekutuar gjithashtu, në prill të 2018-ës, teksa po bënte gara me kuaj në fushën e hipizmit në Shkodër. Ai u qëllua me breshëri kallashnikovi nga një person i paidentifikuar. Ngjarja dhe autorët mbeten të pazbardhur edhe sot e kësaj dite, por shkaqet mendohen se lidhen me konfliktet mes familjeve të përfshira në biznese të ndryshme dhe në ndarjen e bregdetit të Velipojës, i cili prej vitesh është kthyer në mollë sherri.

Viktimë edhe një 20-vjeçar

Dita e parë e punës do ishte dhe e fundit për Myzerim Zenelin! 20-vjeçari është një prej viktimave të ngjarjes tragjike në Velipojë. Ai kishte nisur punë si kamarier në Hotel “Gocaj” ditën e djeshme dhe fatkeqësisht dita e parë e punës e tij do të ishte edhe dita e fundit e jetës për të. Zeneli ndodhej prezent kur dy familjet Ferracaku dhe Gocaj janë konfliktuar me armë ndërkohë që si pasojë e plagëve nuk ka mundur të mbijetojë.

Ai vdiq, si pasojë e konfliktit mes pronarëve të dy hoteleve. Ferracaku, pronari i Hotel “Fantazia” u përplas me armë me vëllezërit Gocaj, pronarë të hotelit “Gocaj”. Bizneset e tyre ndodheshin vetëm 50 metra larg njëri-tjetrit. Kujtim Ferracaku i shkoi mbrëmjen e djeshme familjes Gocaj për t’u sqaruar, mirëpo debati mes tyre u përshkallëzua në përdorimin e armës. I pafajshmi në këtë histori ishte Myzerim Zeneli, 20-vjeçari që sapo nisi punë, mirëpo nuk mundi që ta gëzonte për më gjatë atë pozicion.

Njoftimi i Policisë për ngjarjen

Velipojë/Shkodër

Informacion paraprak

Më datë 27.06.2021, rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, si pasojë e një konflikti të çastit, i cili është përshkallëzuar në përdorim të armës së zjarrit kanë mbetur të vrarë, shtetasit K. V. 59 vjeç, Xh. G. 25 vjeç , E. G. 38 vjeç dhe M. Z. 20 vjeç.

Si dhe janë plagosur shtetasit H. V. 54 vjeç, dhe E. D. 17 vjeç, të cilët dyshohen si autorë të përfshirê në konfliktin e armatosur.

Për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur një grup posaçëm hetimor me specialistë të strukturave hetimore në DVP Shkodër dhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Jetës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Në ndihmë të Policisë vendore ka shkuar FNSH Shkodër dhe një grup i Forcave Speciale Renea.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të kësaj ngjarjeje./mapo.

Related Articles