Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për pesë të dyshuarit A.S., R.S., L.G., M.I dhe D.T (seclit veç e veç), ndërsa masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurës T.Sh.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” bashkëpunëtorja profesionale e kësaj Gjykate, Elzana Kastrati.
“Sipas kërkesës tuaj, ju njoftojë se ndaj të pandehurve A.S, R.S, L.G, M.I dhe D.T, është caktuar masa e paraburgimit nga data 23 korrik 2024 deri me datë 22 gusht 2024, ndërsa të pandehurës T.SH, i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje të njëjtë me të pandehurit tjerë”, thuhet në përgjigjen e Kastratit.
Ndryshe, Policia e Kosovës më 23 korrik 2024 ka bërë të ditur se ka zhvilluar një aksion në tetë lokacione në regjionin e Pejës dhe dy në regjionin e Prishtinës, ku janë arrestuar gjashtë të dyshuar dhe janë sekuestruar mbi 7 mijë euro. Sipas Policisë, aksioni është realizuar nën dyshimin se të dyshuarit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, “Marrja e ryshfetit”, “Marrja e ryshfetit në sektorin privat” dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.
Policia njoftoi se gjashtë të dyshuar janë persona zyrtarë në Departamentin e patentë shoferëve, të cilët dyshohen se organizuan provime duke mos i përfillur format zyrtare elektronike.
“Personat e dyshuar, gjashtë (6) prej tyre persona zyrtarë nga departamenti i patentë shoferëve, Ministria e Infrastrukturës, duke bashkëvepruar dyshohet se kanë vepruar jashtë rregulloreve dhe udhëzimeve të Ministrisë së Infrastrukturës, duke organizuar provime për marrjen e patentë shoferëve jashtë orarit zyrtar të punës, duke përdorur metodën e testimeve në formë fizike dhe duke mos i përfillur format zyrtare elektronike. Dyshohet se testet janë plotësuar në emër të kandidatëve nga ana e zyrtarëve të njësisë së patentë shoferëve në Pejë dhe të njëjtat në mënyrë të kundërligjshme janë futur në sistem nga ana e zyrtarit të IT-së”, thuhej në njoftim.
Sipas Policisë, tre të dyshuar- pronarë të autoshkollave dyshohen se kanë rekrutuar kandidatë dhe kanë siguruar dokumentacion duke falsifikuar dokumentet e nevojshme, me qëllim të futjes së tyre në provim.
“Gjatë operacionit policor të bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: shtatë mijë e tetëqind euro 7800 €, gjashtë telefona mobilë, si dhe materiale të ndryshme lidhur me testime të kandidatëve. Lidhur me rastin personat e dyshuar janë intervistuar në prezencën e avokatëve të tyre mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të lëndës, 6 prej tyre iu është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve dhe një person i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt për shkaqe shëndetësore”, thuhej në njoftim.
Po ashtu, Policia bëri të ditur se për tre nga të dyshuarit e përfshirë në rast të cilët nuk janë hasur, do të ndërmerren veprime të nevojshme për sigurimin e prezencës së tyre.