Është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji për pesë zyrtarë të Prizrenit.
Kohëzgjatja e paraburgimit ndaj të pandehurve C.C., I.R., A.I., R.D., dhe Sh.A., do të llogaritet prej kohës së arrestimit, 25 korrik dhe mund të zgjasë deri më datën 24 gusht, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar dhe falsifikimi i dokumentit zyrtar’.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
Të pandehurit si persona zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre ose nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetrin apo që tu shkaktojnë dëm personave tjerë, në atë mënyrë që nga fillimi i muajit dhjetor 2021 e deri me datë 25.07.2022, i pandehuri C.C., ish-Koordinator në Zyrën për Komunitet dhe Kthim në Komunën e Prizrenit, e pandehura I.R., Menaxhere e Zyrës për Komunitet dhe Kthime në Komunën e Prizrenit, i pandehuri A.I., Zyrtar për të drejtat dhe integrimin e komuniteteve në Komunën e Prizrenit, i pandehuri R.D., Zyrtar për të drejtat dhe integrimin e komuniteteve në Komunën e Prizrenit dhe i pandehuri Sh.A., Drejtor i Ndërmarrjes “B-A.” Sh.P.K, me seli në fshatin Zhur-Komuna e Prizrenit, bazuar në tenderin e shpallur nga Autoriteti Kontraktues – Komuna e Prizrenit, “Furnizimi me material ndërtimor për rindërtimin e shtëpive të familjeve skamnore dhe rasteve sociale të komuniteteve minoritare në Komunën e Prizrenit”, përfituesve për furnizim me material ndërtimor-të dëmtuarve B.R., A.K., L.U., etj, nuk ua dorëzojnë në tërësi materialin ndërtimor ashtu siç ka qenë e paraparë në bazë të tenderit, me ç ’rast buxhetit të Komunës së Prizrenit i është shkaktuar dëm material në shumë prej 13,283.00 Euro.
Po ashtu, të njëjtit si persona zyrtarë në dokumentin zyrtar shënojnë të dhëna të rreme ose nuk i shënojnë të dhënat e duhura, apo me nënshkrimin e tyre ose me vulën zyrtare vërtetojnë dokumentin zyrtar, regjistrin apo shkresën zyrtare e cila përmban të dhëna të rreme, në atë mënyrë që në periudhën kohore të lartcekur, me rastin e dorëzimit të materialit ndërtimor për përfituesit B.D., A.K., B.R., dhe L.U., nënshkruajnë në emër të tyre, edhe pse në fakt përfituesit nuk e kanë pranuar në tërësi ose fare materialin ndërtimor.