Nga ofertat te bllokada: Vendi drejt zgjedhjeve të reja

Nga ofertat te bllokada: Vendi drejt zgjedhjeve të reja

Sot u zhvillua takimi i fundit, me gjasë, mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Edhe pse pritej një marrëveshje e mundshme, dy liderët e partive ndanë rrugët pas takimit, shkruan Gazeta Enigma.

Pasi e takoi shkurt Kurtin. Abdixhiku tha se ai po tenton që të tri pozitat kryesore; Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari, të jenë emra nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai tha se nuk do të ketë më takim mes dyshes dhe se, në fakt, do të fokusohet tani në përgatitje për zgjedhje.

Ndërkohë, Kurti po ashtu u shpreh skeptik rreth gjetjes së një emri që do t’i bashkonte partitë më të mëdha, por tha se LDK-së ia ofroi dy oferta.

Sipas Kurtit, në ofertën e parë, Abdixhikut iu ofrua pozita e zëvendëskryeministrit, Ministria e Punëve të Jashtme, si dhe tri ministri të tjera.

Pas refuzimit të kësaj oferte, Kurti po ashtu tha se LDK-së iu ofrua pozita e Kryeparlamentarit, por se as kjo nuk e bindi Abdixhikun.

Sa i përket PDK-së, Kurti tha se “i ka dërguar mesazh” për takim kryetarit Bedri Hamza.

E pak orë para takimit Kurti në mbledhjen e ekzekutivit, tha se “zgjedhjet nuk janë opsion”, duke paralajmëruar edhe “kompromise të vështira”, për ta zhbllokuar situatën aktuale.

“Kastë politike e papërgjegjshme skajshmërish”

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, në një prononcim për Gazetën Enigma, thotë se LVV tani duhet të fokusohet në bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës.

“Do të duhej të shfrytëzoheshin mundësitë edhe në ditët e tjera. Ka edhe 7 ditë. Nuk do të duhej të mbyllej me kaq dera e dialogut mes partive. Tani VV do të duhej të bisedojë me PDK-në.”

“Kjo kastë politike e papërgjegjshme skajshmërish, fatkeqësisht, duhet të vetëdijesohet se zgjedhja e presidentit është e domosdoshme. Shkuarja në zgjedhje flet për paaftësinë dhe papërgjegjësinë e tyre të skajshme”, deklaron Baraliu.

Baraliu thotë se edhe nëse partitë nuk merren vesh, në fund të paktën do të duhej të jenë të gjithë prezentë për të votuar.

“Ofertat e Kurtit, absolutisht të mjaftueshme – madje edhe të tepërta”

Profesori Baraliu thotë se dy ofertat e Kurtit për Abdixhikun “janë absolutisht të mjaftueshme, madje edhe të tepërta”.

“LDK, duke humbur në rënie të lirë nga zgjedhja në zgjedhje dhe të ketë kaq mundësi dhe ofertë, është e mjaftueshme. Por këtu diçka ka”, thotë Baraliu.

“Jo t’i mbyllin dyert, duke e pasur ofertën në tavolinë. E përsëris se janë në rënie të lirë dhe gati në fund, dhe të thuhet se oferta nuk është e mjaftueshme. Çka dëshirojnë ata? A dëshirojnë që dikush t’i fitojë zgjedhjet dhe ata ta marrin pushtetin? Kjo nuk shkon në asnjë mënyrë”.

Duke folur edhe për deputetët e pozitës, edhe për ata të opozitës, Baraliu tha se “janë njerëz që nuk e meritojnë atë vend dhe nuk meritojnë ato vota që kanë marrë”.

“Kurti po i keqpërdor takimet me opozitën”

Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, thotë se Abdixhiku ka bërë një “gabim të madh” duke u takuar me Kurtin.

“Sepse ai po i keqpërdor këto takime me partitë opozitare për të krijuar perceptim publik kundër tyre, sikur faji për bllokadën bie mbi opozitën”, tha Muhaxheri për “Enigmën”.

Për dallim nga Baraliu, Muhaxheri thotë se Kurti “nuk ka bërë asnjë kompromis”.

“Për më tepër, deri tani nuk është parë asnjë kompromis real nga ana e Kurtit. Ai flet për dialog, por në praktikë nuk e njeh atë si proces të mirëfilltë mes palëve të barabarta. Kur mungon gatishmëria për kompromis, atëherë edhe dialogu bëhet formalitet, jo mjet për zgjidhje”, deklaron Muhaxheri.

“Në këto rrethana, është e qartë që pa një ndryshim qasjeje nga qeveria — pra pa vullnet për marrëveshje dhe pa trajtim serioz të partnerëve politikë – situata mbetet e bllokuar dhe vetëm zgjatet kriza. Opozita duhet të jetë më e kujdesshme që të mos bëhet pjesë e një skenari që në fund përdoret kundër saj”, tha në fund Muhaxheri.

Kur përfundon afati?

Afati për zgjedhjen e një presidenti të ri do të përfundojë më 28 prill.

Nëse deri atëherë Kosova nuk ka një president të ri, vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje.

Pas kalimit të afatit, Kosova pritet të mbajë zgjedhjet e treta të jashtëzakonshme radhazi, më 7 ose 14 qershor. /GAZETA ENIGMA

Related Articles