Sulmi tinëzar i Serbisë i vitit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit nga ku mbeti i vrarë një polic kosovar, ishte pikënisja që ndërroi historinë e veriut, “e çliroi” atë, shkruan Gazeta Enigma.
Ky sulm agresor që sipas hetimeve të deritanishme dhe aktakuzës së publikuar nga organet e drejtësisë e bënë përgjegjëse Serbinë, ngriti alarmin për një sërë zhvillimesh që do të pasonin në vitin 2024.
Që nga sulmi në Banjskë, veri i Kosovës ka përjetuar një seri incidentesh sigurie që kanë sfiduar stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës.
Në muajin mars, protestat e serbëve në Zubin Potok lanë të plagosur mbi 25 ushtarë të KFOR-it që bënin përpjekje për t’i shpërndarë ata.
Sulmet ndaj KFOR-it lidhen me rezistencën e disa grupeve serbe në veri të Kosovës kundër zbatimit të autoritetit të institucioneve kosovare. Këto grupe i shihnin veprimet e Qeverisë së Kosovës si një sfidë ndaj autonomisë së tyre ‘de facto’ në zonë.
Hapja e bizneseve kosovare “në zemër” të veriut
Edhe pse veriu ende konsiderohet si “pika e nxehtë” e konflikteve dhe sulmeve, atje gjërat kanë ndryshuar dukshëm.
Shumë biznese të Kosovës janë hapur dhe po “lulëzojnë”, teksa sheshet e veriut janë mbushur me njerëz që s’i përkasin vetëm nacionalitetit serb, gjë që nuk ishte e zakonshme në vitin 2023, ta zëmë.
Eksperti i sektorit të sigurisë, Drizan Shala, ka thënë për Gazetën “Enigma” se Qeveria ka marrë hapa serioz drejt shtrirjes së sovranitetit në veri, por që ata hapa janë përballur me sfida të konsiderueshme.
“Gjatë vitit të fundit, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh në veriun e vendit, të cilat synojnë forcimin e sovranitetit dhe integrimin e plotë të kësaj pjese në strukturat shtetërore. Këto veprime përfshijnë mbylljen e institucioneve paralele, ndalimin e përdorimit të dinarit serb dhe mbylljen e disa degëve të Postës së Serbisë që operonin pa licencë . Për më tepër, është raportuar për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive të shqiptarëve në veri, me qëllim të kthimit të tyre në pronat e tyre . Megjithatë, këto veprime janë përballur me sfida të konsiderueshme”, tha ai.
“Bashkimi Evropian ka kritikuar disa veprime si të njëanshme dhe të pakoordinuara, duke theksuar se mund të ndikojnë negativisht në procesin e integrimit evropian të Kosovës . Për më tepër, tensionet me komunitetin serb në veri kanë vazhduar, duke krijuar një mjedis të ndërlikuar për zbatimin e politikave qeveritare”, vazhdoi tutje ai.
Shala tha se mungon një prani efektive dhe e qëndrueshme në veri, që komuniteti lokal të mund t’i besoj.
“Në aspektin e sigurisë, Qeveria ka rritur buxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke synuar forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë . Megjithatë, sfidat mbeten, veçanërisht në sigurimin e një pranie efektive dhe të qëndrueshme në veri, si dhe në ndërtimin e besimit me komunitetet lokale. Komuniteti serb në veri shpesh kundërshton autoritetin e Prishtinës dhe kërkon mbështetje nga Beogradi, gjë që e vështirëson integrimin”, përfundoi ai.
Kriminelët jashtë Veriut
Visar Xani, analist politik, tha për Gazetën Enigma se çështja e procesit të stabilitetit për veriun e Kosovës nuk është vetëm çështje e sigurisë, por edhe çështje e stabilitetit politik.
“Çështja e procesit të stabilitetit për veriun e Kosovës nuk është vetëm çështje e sigurisë, por edhe çështje e stabilitetit politik Sa i përket stabilitetit politik nuk mund të themi që ka ndonjë lëvizje të dukshme për shkak që ende politika e Beogradit i ka grupet kriminale që mund ta destabilizojë Kosovën ose pjesën veriore kurdoherë”, tha ai.
Xani vlerëson se grupet kriminale që kanë për qëllim kontrabandën nuk kanë më vend në veriun e Kosovës.
“Sa i përket anës së kontrabandës dhe grupeve kriminale s’mund të themi mbase çka kemi pa që ka një rënie qind për qind por që është reduktuar dhe grupet kriminal që kanë për qëllim kontrabandën dhe përfitimet materiale duket që më nuk kanë vend në pjesën veriore të Kosovës”, u shpreh ai.
Ai thotë se për të siguruar stabilitet politik dhe integrimit të plotë duhet ende punë, dhe “duhet të ketë një gatishmëri të plotë të institucioneve të Kosovës”, por edhe serbëve lokal atje për ta parë Kosovën si shtet të tyre dhe për të arritur të shohin interes Kosovën dhe jo Serbinë.
“Për më shumë, Qeveria e Kosovës duhet të jetë në gatishmëri të plotë dhe të bëjë edhe më shumë për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës”, përfundoi ai.
“Shtrirja e sovranitetin në Veri është jetësuar nga Qeveria Kurti”
Në anën tjetër analisti Sadri Ramabaja, vlerëson se Republika e Kosovës ka fituar funksionalitet të plotë në veriun e saj, ku pushteti qendror tashmë ka mundësinë dhe autoritetin për të kontrolluar tërësisht territorin. Siç thekson ai, sovraniteti i brendshëm nënkupton të drejtën e shtetit për të vendosur për çështjet që ndodhin brenda tij dhe për marrëdhëniet me shtetet e tjera.
“Sovraniteti i një lidhjeje të brendshme konsiston në faktin se shteti mund të vendosë vetë se çfarë duhet të ndodhë brenda dhe në marrëdhëniet e tij me shtetet e tjera. Shteti sovran ka fuqinë të përcaktojë ligjet dhe formën e tij të qeverisjes. Shtetet e huaja nuk lejohen të ndërhyjnë. Në rastin tonë konkret, Serbia nuk lejohet të mbajë zgjedhjet e saj as të karakterit lokal e as ato të karakterit nacional, brenda territorit të Republikës së Kosovës, siç mbante deri në vitin 2021. Po ashtu Serbisë i është pamundësuar që të ushtrojë sovranitetin e saj brenda Kosovës duke e toleruar të organizojë referendumet e saj të herë pas hershme”, theksoi ai.
Megjithatë,siç thotë ai kjo pavarësi mund të jetë e kufizuar. “Ky është rasti, për shembull, kur një vend anëtarësohet në BE. Më pas, disa të drejta i transferohen vullnetarisht komunitetit, për shembull në fushën e politikës ekonomike, monetare ose bujqësore”, tha ai për Gazetën Enigma.
Ramabaja tutje ia atribuon si sukses Qeverisë Kurti, shtrirjen e sovranitetit që sipas tij ndodhi në vitin që po lëmë pas.
“Qeveria Kurti 2 ka shtri sovranitetin dhe ligjshmërinë në veri, ka spastruar atë pjesë të Republikës nga bandat kriminale dhe të inkriminuara dhe me mekanizmat e sigurisë, më 24 shtator 2023, ia doli të pamundësoi pushtimin e asaj pjese të Republikës nga ana e Serbisë. Me këtë akt, Qeveria dëshmoi se Republika është e aftë të mbrojë integritetin e saj dhe të prosperoj vendin, duke krijuar parakushtet në sferat tjera, që Republika në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare të trajtohet me dinjitet”, përfundoi ai.
2025-ta vit i sulmeve të reja? – Çka paralajmroi Kurti
Trazira e fundit që ndodhi në veri ishte shpërthimi në Zubin Potok dhe e dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, mbrëmjen e datës 29.11.2024. Ky ishte edhe “shkelmi” i fundit që Serbia dyshohet se e bëri në Kosovë. Ky sulm u konsiderua si akt terrorist dhe për këtë autoritetet kosovare drejtuan gishtin kah Serbia.
Ky sulm pasoi pastaj me gjetjen e armatimeve dhe uniformave ushtarake në zona të ndryshme të veriut, që janë tregues për një prani të organizuar të grupeve që operojnë jashtë ligjit.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in, intensifikuan operacionet e sigurisë në zonë, duke rezultuar në arrestime dhe konfiskime të armëve.
Qeveria nën udhëheqjen e Albin Kurtit ka ndërmarrë hapa të vendosur për të zbatuar sovranitetin, duke theksuar shtimin e prezencës së Policisë së Kosovës atje.
Por ky mund të mos jetë realisht “shkelmi” i fundit i Serbisë në Kosovë.
Më 24 dhjetor, kryeministri Albin Kurti, paralajmëroi se instancat e sigurisë kanë kuptuar se planifikohen sulmet të reja para dhe pas vitit të ri 2025.
“Kësi metodash të sfidimit të sigurisë në Republikën e Kosovës, të cilat për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike të cilat Serbia i nxitë fort, pastaj shkaktimin e panikun në mesin e qytetarëve, e krejt në fund, edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri”, tha ai.
Ai tha se Milan Radoiçiq, që konsiderohet si kreu i grupit që e ka kryer sulmin në Banjskë të shtatorit të vitit të kaluar, i ka edhe dy njerëz të cilët punojnë për të dhe po kryejnë sulme në veri.
“Gradualisht është përshkallëzuar situata në katër komunat në veri përmes grupeve të vogla të lidhura me Milan Radoiçiq. Bazuar në informacionet që posedojnë institucionet e sigurisë në Kosovë, Radoiçiq ka caktuar dy persona, të afër të tij për të realizuar sulme në veri përmes grupeve të tyre, të cilët kanë marrë pjesë edhe në sulmin terrorist në Banjskë, dhe strehohen në Serbi”.
“E këta dy persona janë Nemanja Radivojeviq i njohur si ‘Gandi’ dhe Vlladimir Radivojeviq i njohur si ‘Mami”, ka thënë Kurti.
Tutje, Kurti tha se “refuzimi i Beogradit për ta dorëzuar Milan Radoiçiq, përgjegjësin kryesor për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 i cili ka pasur për qëllim okupimin e pjesës veriore të vendit tonë ka qenë inkurajim për grupin terrorist që i prinë Radoiçiqi për të vazhduar me akte të tjera subversive, diverzive ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës
Kurti tha se janë të përkushtuar që këto sulme të “neutralizohen maksimalisht”, përkundër se sulme të tilla, siç tha, janë sfiduese edhe për shtete të fuqishme.
Ai shtoi se “Ne jemi të përkushtuar që edhe këtë metodë të mbetur të Serbisë ta neutralizojmë maksimalisht, përkundër faktit se sulmet e tilla terroriste janë sfiduese edhe për shtete të fuqishme, veçmas nëse këto sulme e kanë mbështetjen dhe sponsorizimin e një shteti tjetër, në këtë rast si Serbia”. /Gazeta Enigma/