Ngrihen dyshime për mashtrim me vota në Klinë, PDK-ja i dërgon rastet në polici

Ngrihen dyshime për mashtrim me vota në Klinë, PDK-ja i dërgon rastet në polici

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Klinë, i ka raportuar në Policinë e Kosovës disa mashtrime politike që po ndodhin në këtë komunë, raporton Gazeta “Enigma”.

Në shkresën që “Enigma” e ka siguruar, shihet shkresa që PDK-ja e ka deponuar në Policinë e Kosovës, Stacioni në Klinë, votuesit e këtij subjekti politik po kontaktohen nga disa numra të panjohur, respektivisht nga persona që po prezantohen si pjesëtarë të Organizatave Joqeveritare, të cilët po ofrojnë asistencë për nxjerrjen e qytetarëve të Klinës në votime, duke u ofruar edhe transportim me automjete.

“Duke e ditur që roli i organizatave joqeveritare nuk ndërlidhet as me nxjerrjen e votuesve në votime dhe as transportimi i tyre deri te qendrat e votimit, Dega e PDK-së në Klinë i raporton këto raste në Policinë e Kosovës si presion ndaj votuesve dhe si përpjekje për të ndikuar në vendimmarrjen e tyre deri në qendrat e votimit”, thuhet në shkresën e PDK-së drejtuar Policisë së Kosovës.

Telefonata të tilla, sipas kësaj partie, po pranojnë edhe aktivistët e tyre.

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Klinë, ka kërkuar nga Policia e Kosovës që t’i hetojë këto raste si mashtrim politik.

Kujtojmë se Kosova sot po voton në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale /Gazeta Enigma.

Related Articles