Duke filluar nga sot, e hënë, një shqiptar 57 vjeçar nga Kosova po përgjigjet para Gjykatës së Qarkut në Brugg. Ai po përballet me akuzën se ka goditur për vdekje gruan dhe motrën e saj në Hausen AG në Janar 2018.
Seanca është caktuar të zgjasë katër ditë.
Akuza e publikuar paraprakisht e prokurorisë praktikisht nuk jep detaje në lidhje me të akuzuarit dhe viktimat, raporton agjencia e lajmeve SDA.
I akuzuari ndodhet në paraburgim, transmeton albinfo.ch. Viktimat janë gruaja e tij 38 vjeçare dhe motra e saj 31 vjeçare, të dyja nga Shqipëria.
Prokurori publik ka kërkuar burgim të përjetshëm për vrasje të shumëfishtë, ose, eventualisht një dënim me burg prej 20 vjetësh për më shumë se një vrasje, të kryera me dashje.
Pas vuajtjes së dënimit, ai duhet të dëbohet nga vendi për 15 vjet dhe kjo duhet të futet në Sistemin e Informacionit Shengen (SIS). që do të thotë se do të jetë i bllokuar për të gjithë zonën Shengen.
Gruaja kërkonte shkurorëzimin
Sipas prokurorit, gruaja e kishte raportuar burrin e saj për dhunë në familje rreth një vit para vrasjes. Me sa duket ajo ishte lodhur nga shpërthimet e tij të dhunës, ofendimet dhe sjelljet e tij kontrolluese, kufizuese. Prandaj, ajo donte shukurorëzimin.
Sipas aktakuzës, një gjë e tillë do të kishte disavantazhe financiare për burrin.
Ai kështu mund të humbiste kujdestarinë mbi fëmijët, dhe gjithashtu do të “humbiste fytyrën brenda familjes dhe shoqërisë”. Prandaj, ai synonte të parandalonte divorcin.
Për shkak se gjithashtu dyshonte se gruaja e tij po e tradhtonte, ai kishte instaluar fshehurazi një telefon celular në një vend të fshehur në makinën e saj – gjithmonë sipas aktakuzës. Përmes aplikacionit të gjurmimit, ai tani vëzhgonte se ku po shkonte gruaja. Ai po ashtu kishte shkuar me automjet në këto vende për t’u siguruar që nuk ishte në gabim.
Më 30 dhjetor 2017, ai zbuloi se gruaja po takonte në një shtëpi të pabanuar një burrë që ai e njihte. Në prag të Vitit të Ri, gruaja, me pretekstin se do të shkonte të merrte motrën, pas prishjes së makinës së saj, kishte shkuar në një klub. Ndërsa në pasditen e 6 janarit ajo kishte shkruar përsëri në shtëpinë e përmendur, të zbrazët, për një takim.
Të hënën, 8 janar 2018, kur fëmijët ishin nisur për ditën e parë të shkollës pas pushimeve të Krishtlindjes, i akuzuari ka vrarë gruan e tij, e cila ishte akoma në shtrat, duke e goditur atë me një thikë të gjatë dhe të mprehtë dy herë në pjesën e sipërme të trupit.
Pastaj ai ka goditur me thikë edhe kunatën, e cila kishte kaluar natën në dhomën e fëmijëve. Duke vepruar kështu, ai kishte eliminuar “një dëshmitare të bezdisshme dhe të urryer, si aleate e gruas së tij”, shkruan prokurori.
Pastaj ai i kishte vendosur kunatës një thikë kuzhine në dorë dhe kishte goditur veten me thikë, duke inskenuar kështu një sulm nga gratë ose një veprim në situatë vetëmbrojtjeje.
Pas krimit, ai i ka sjellë fqinjes para për fëmijët dhe i ka kërkuar djalit të tij të madh që nga martesa e tij e parë të kujdesej për fëmijët. Pastaj ka thirrë avokatin e tij për të njoftuar policinë. Policia e ka arrestuar atë të njëjtën ditë.
Gjykata e Qarkut të Brugg-ut është duke zhvilluar gjykimin për vrasje nën masa të shtuara sigurie, në një sallë në Hausen. Procesi ishte shtyrë përmes një njoftimi të shkurtër në nëntor: Një person nga radhët e palëve pjesëmarrëse ishte testuar pozitivisht për Covid-19.