Ka nisur takimi mes presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe krerëve të partive politike, ku pritet të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta.
Sipas njoftimit të Presidencës, pas këtij takimi, Osmani do të mbajë konferencë për media në hollin e Kabinetit të Presidencës.
“Në orën 14:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do të mbajë takim konsultativ me kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta në Republikën e Kosovës. Takimi mbahet në sallën C301. Mediat mund të marrin pamje nga fillimi i takimit. Ndërkaq, pas takimit Presidentja Osmani mban konferencë për media në hollin e Kabinetit të Presidencës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Kryetarët e partive politike, i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Osmanit për këtë takim, përveç VV-së, ku i pari i kësaj partie, Albin Kurti, ka deleguar nënkryetarin Glauk Konjufca.
Por, Reporteri.net merr vesh nga burimet e veta se as Konjufca nuk po merr pjesë në takimin e sotëm.
Për PDK-në, ishte Sekretarja e Përgjithshme e kësaj partie, Vlora Çitaku ajo e cila konfirmoi pjesëmarrjen në takimin për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Për takimin me Osmanin, foli gjatë ditës së djeshme edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili edhe ia ktheu letrën presidentes Osmani.
Haradinaj në letër tha se pas konsultimit me Kryesinë e partisë së tij është vendosur që ai të shkojë në takim.
Për PDK-në, ishte Sekretarja e Përgjithshme e kësaj partie, Vlora Çitaku ajo e cila konfirmoi pjesëmarrjen në takimin për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Ndërsa konfirmimin për Lumir Abdixhikun e LDK-së, e dha zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa.
“Ju konfirmoj që kryetari Abdixhiku ka pranuar ftesën si dhe të mërkurën në takim do jep qëndrimet e LDK-së”, kishte deklaruar Mustafa.
Presidentja u ka dërguar një letër liderëve të partive, në të cilën ka shkruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.
“Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e presidentes drejtuar partive politike.