Nishori: Prej kur e bëra publik rrëfimin tim, katër viktima tjera u paraqitën në qendër

Nishori: Prej kur e bëra publik rrëfimin tim, katër viktima tjera u paraqitën në qendër

I mbijetuari i dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Ramadan Nishori, sërish ka rrëfyer detaje nga historia e tij në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Ai ka treguar për vështirësitë që ka hasur gjatë rrugës.

“Qysh në fillime në organizatë ka qenë shumë vështirë në atë kohë por të drejtën me të thënë me ndihmën e Vasfijes, të cilën e përshëndesim dhe i urojmë shërim të shpejtë, unë jam lajmëruar në organizatë të cilët na kanë pritur shumë mirë. Për të mos e ekzagjeruar më shumë jashtëzakonisht na kanë pritur shumë mirë, si drejtoresha Feridja.. edhe të gjithë këta të organizatës së KRCT-s. Në fillim për mua ka qenë shumë vështirë derisa jam afruar në organizatë. Unë se di sa herë jam afruar deri te organizata, por nuk mundja ta marr guximin kurrsesi të hyj brenda sepse më vinin lloj-lloj pyetjesh në kokë se më sheh dikush duke hyrë në organizatë apo mund të jetë ndonjë i njohur që mund të punoj brenda aty në organizatë. Por pasi kemi biseduar me Vasfijen.. e më tha që çdo gjë që flitet aty është konfidenciale dhe unë pa menduar shumë kam shkuar e jam lajmëruar. Ajo dita e parë ishte shumë e rëndë, sepse te ne të të shohë dikush që je duke hyrë në organizatë thosha më qeshin, më paragjykojnë shumë por megjithatë vendosa dhe kam hyrë”, ka thënë ai. 

Nishori ka thënë tutje se që nga deklarimi i tij publik lidhur me atë se cka i ka ndodhur, katër persona të tjerë janë lajmëruar në organizatë.

“Mos të hezitojnë le të lajmërohen nëpër organizata të marrin ndihmë psikologjike dhe të bëjnë padi në organet e drejtësisë. Unë prej 14 prillit kur kam folur publikisht, janë lajmëruar nëpër organizata edhe katër persona të tjerë. Unë ju bëjë thirrje sërish çdo të mbijetuari, nuk i them që menjëherë t’u tregojnë familjeve por ma së pari ejani nëpër organizata, kërkoni ndihmë dhe do ta tejkaloni. Dhe kryesorja është të ngrihet padi kundër krimit që na ka ndodhë”, ka shtuar Nishori. 

“Përkrahja e familjes është mbi të gjitha”, thotë ai.

“Forca shumë e madhe është kur i kam treguar bashkëshortes së pari. Para se t’i tregoja bashkëshortes, te ne të mbijetuarit mbrëmja është shumë e vështirë, sepse në mbrëmje të vjen një si ngufatje. Besa ikja në gjysmë të natës, dilja prej shtëpisë qaja dhe kthehesha përsëri. Dhe kur i kam treguar bashkëshortes, e hoqa  një barrë bukur të rëndë prej vetes. Nuk kisha me nevojë të ikja prej shtëpisë, por i qanim bashkë hallet me bashkëshorten. Pas një kohe duke biseduar me bashkëshorten e psikologen, i thashë çka ta merr mendja t’i tregoj edhe vajzës… vajza është me fakultet dhe po i them që kur të vish prej fakultetit do të dalim për të pirë kafe dhe për të biseduar diçka. Nuk mundja t’ia shprehja me fjalë dhe e pata marrë vendimin që më është pranuar statusi dhe atë ia tregova vajzës. Më tha se e di këtë çështje tash e 3-4 vjet, por nuk ka dashur të më thotë diçka pa i treguar unë. Vajza më tha se deri sot e kam pasur përkrahjen e saj, tani do ta kem edhe më të madhe. Përkrahja e familjes është mbi të gjitha. Mbështetja e familjes është shumë e madhe”, është shprehur tutje ai. / Gazeta Enigma.

Related Articles